Lajme

Skender Hyseni në intervistë për Shqip.com: Kosova ka rënë në grackë të Serbisë

Skender Hyseni - Ish-ministër i Punëve të Jashtme të Kosovës

Kosova ka stagnuar në dialog, tensionet në veri të vendit janë bërë edhe nga mosdija e qeverisë për të menaxhuar me situatën, të cilën e ka shfrytëzuar Serbia, e cila s’është e interesuar të arrihet zgjidhja finale, ndërsa e cilëson të duhur, vendimin e institucioneve për të shtyrë organizimin e zgjedhjeve të planifikuara në katër komunat veriore.

Këto janë disa prej qëndrimeve që i ka shprehur ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Skender Hyseni, në një intervistë për Shqip.com.

Hyseni që ka marrë pjesë edhe në negociatat me Serbinë, thotë se situata në veri të vendit është shpërthyese dhe është kthyer në gjendjen e para vitit 2013, kur në këtë pjesë nuk ka pasur asnjë lloj ligjshmërie dhe stabiliteti, si dhe mungesë të pushtetit të Kosovës aty.

“Unë jam shumë i shqetësuar për gjendjen në veri aktualisht. Ne nuk duhet të habitemi asnjëherë me veprimet e Serbisë kundër stabilitetit të Kosovës dhe kundër Kosovës. Institucionet tona duhet të jenë skajshmërish të kujdesshme që të mos krijojnë pretekste dhe alibi që Serbia të aktivizojë ata skenarët e errët kundër të Kosovës. Në këtë situatë duhet bërë thirrje tek BE-ja dhe KFOR-i, që ta përqendrojnë të gjithë presionin në Beograd dhe ato barrikada duhet të hiqen urgjentisht. Nëse ato vazhdojnë të mbesin aty dhe të krijohet një situatë normale prej anormalitetit, atëherë njerëzit mësohen me ato barrikada, prandaj  duhet  bërë çmos që ato të hiqen”, tha Hyseni.

Sa i përket rrezikut për përshkallëzime në veri, Hyseni tha se kanë qenë veprime të duhura nga ana e Kosovës, tërheqja nga vendimi për targat dhe shtyrja e zgjedhjeve në komunat veriore.

“Që ditën kur janë shpallur ato zgjedhje, kam thënë se nuk duhej të shpalleshin sepse një politikë e mençur, një lider institucional racional, i vlerëson efektet që mund të prodhojë në terren një veprim politik dhe këtu duket se as presidentja Osmani dhe as kryeministri Kurti, nuk kanë qenë të zotë t’i lexojnë shenjat se çka mund ta prodhojë një situatë re e krijuar në veri. Është stagnim, përkatësisht është prapavajtje në dialog sepse pozicioni i Kosovës është më i dobët se sa ka qenë para këtyre veprimeve, që unë i kam quajt amatoreske. Këta, pra institucionet,  pozicionin e vetvetes e kanë minuar disi me këto veprime të pa menduara mirë dhe të pakoordinuara me faktorët ndërkombëtar”, ka shtuar ish-ministri Hyseni.

Një nga telashet e mëdha sipas ish-kryediplomatit është lëndimi i marrëdhënieve me miqtë ndërkombëtar. Sa i përket planit franko-gjerman, Hyseni ka thënë të mos ketë parë përmbajtjen, por thekson se e vetmja mënyrë për t’u respektuar dhe zbatuar të gjitha marrëveshjet e deritashme, është marrëveshja finale.

“Duket që për herë të parë, ka një koordinim të ngushtë në mes SHBA-ve, Gjermanisë, Francës, por edhe Britanisë së Madhe, në atë që po shihet si domosdo e kohës që konflikti Kosovë-Serbi të mbyllet. Unë kam thënë disa here se nuk është i mundshëm zbatimi i ndonjë marrëveshje të veçantë me Serbinë pa u arritë një marrëveshje e përgjithshme sepse ajo i mbulon të gjitha. Nëse provohet të zbatohet një marrëveshje për targat, që ishte një gabim i madh i Qeverisë Kurti, pa një marrëveshje të përgjithshme, do të shihet se është e pamundshme të zbatohet, siç po shihet që ishte e pamundshme. Qeveria i bëri favor të keq vetvetes sepse një Qeveri që merr veprime të ngutshme e dështon t’i zbatojë ato vendime e humb kredibilitetin të bashkëbiseduesit ndërkombëtar, por edhe brenda për brenda Kosovës”.

Hyseni: Asociacioni duhet të zbatohet, por assesi para marrëveshjes së përgjithshme

Ish-kryediplomati Kosovar që ishte edhe kryenegociator, thotë se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe duhet të zbatohet nga Kosova, por jo para arritjes së marrëveshjes finale me Serbinë.

“Kosova, Asociacionin e ka aprovuar, e ka votuar në Kuvend të Republikë së Kosovës dhe është ligj ndërkombëtarisht i sanksionuar tashmë dhe Kosova nuk mund t’i ik atij vendimi. Pak ditë pasi Kurti është bërë kryeministër kam thënë se po përpiqet që të bëjë lojëra që nuk i kupton askush, e ai jo që do ta zbatojë, por do ta zbatojë fortë sepse s’ka ku shkon. Nëse një lider politik mendon se me ardhjen në pushtet mendon se të gjitha vendimet ndërkombëtare që i ka marrë vendi i tij, hiqen me automatizëm, e ka gabim. Qeveria e Kosovës duhet ta zbatojë Asociacionin duke respektuar vrejtjet e Gjykatës Kushtetuese, por asesi para marrëveshjes së përgjithshme dhe ky ka qenë qëndrimi im në negociata sa kam qenë unë kryenegociator. Unë e kam thënë qartë atëherë se nuk mundet të zbatohet asnjë marrëveshje e veçantë për aq kohë sa nuk kemi një marrëveshje të nënshkruar për normalizim të plotë”, ka deklaruar tutje ish-kryenegociatori.

Hyseni tha se Serbia nuk mund të hyjë në BE pa e njohur Kosovën dhe se njohja de jure, nuk mund të vonojë shumë pasi për 5-6 vite, Serbia do ta ketë kompletuar procedurën për anëtarësim.

Hyseni me kritika për liderin aktual të LDK-së dhe opozitën

Skender Hyseni që për kohë të gjatë ishte pjesë aktive e Lidhjes Demokratike të Kosovës, shfaqë kritika për liderin aktual Lumir Abdixhiku, për të cilin thotë se nuk është i sigurt nëse di të artikulojë filozofinë politike të partisë.

“Lidhja Demokratike e Kosovës është parti e konsoliduar, e vjetër, e shtresuar mirë. Natyrisht, unë jam kritik për liderin aktual të LDK-së. Nuk i fshehi pikëpamjet e mija. Nuk jam i sigurt që është lideri adekuat i cili di ta artikuloj tamam filozofinë politike të LDK-së, sidoqoftë, LDK-ja aktualisht po qëndron mirë, në zgjedhjet e kaluara ka qenë keq, por s’ka qenë për fajin e LDK-së apo lidershipit, ka qenë rrjedhim i një cikli i cili doemos kerkonte ndryshime rrënjësorel”.

Ndërsa për opozitën, Hyseni thotë se ajo nuk po e bënë punën e saj. Sipas tij, partitë në taborin opozitar duhej për shembull  të mos mbështesnin qeverinë kur ajo e ka gabim, siç është rasti me zgjedhjet në veri.

/Shqip.com