Lajme

Skandali në Pejë, Krasniqi: Caktojeni sa më shpejtë ministrin e Shëndetësisë

Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka reaguar pas lajmit se një foshnjë e vdekur është futur në lavatriçe e mbështjellur me çarçaf në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës.

Përmes një postimi në Facebook, Krasniqi ka kërkuar caktimin e ministrit të Ministrisë së Shëndetësisë.

“Edhe çka tjetër duhet me ndodhë në Kosovë, që kjo Qeveri me marrë seriozisht shëndetësinë? Ku është ministri? Ku është drejtori i SHSKUK-së? Pse është tentuar që të fshihet ky rast? Vetëm tri javë më parë një grua u vra në oborrin e një institucioni shëndetësor publik. A i ka mbetur fije morali ndokujt në këtë Qeveri, apo të gjithë shikojnë vetëm postet dhe privilegjet personale? Caktojeni atë ministër sa më shpejtë, Kryeministër e dilni zot pacientëve”, shkroi Krasniqi.

Krasniqi tha se krimi e ka kapluar sektorin e shëndetësisë.

Në Spitalin Rajonal të Pejës së fundi ka ndodhur një ngjarje e pazakontë.

Foshnja e vdekur futet në lavatriçe në Spitalin e Pejës, nisin hetimet – SHQIP.com

Një foshnje e vdekur është futur në lavatriçe e pështjellur së bashku me çarçafë.

Lajmin e ka konfirmuar për shqip.com, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Pejë, Agim Kurmehaj.

Kurmehaj tha se tashmë kanë nisur hetimet për këtë rast.

“Po ju konfirmoj se rasti ka ndodhur dhe ne si prokurori kemi ndërmarrë veprime e duhura për zbardhje të rrethanave”, tha Kurmehaj.

Mehaj konfirmoi se foshnja ka qenë e vdekur kur ka ndodhur edhe ngjarja.

Ndërsa, lidhur me rastin Spitali i Përgjithshëm në Pejë ka suspenduar shtatë punonjës.

/Shqip.com