Lajme

Skandal i “Conad”, tregton sallamin “Galbanetto” i cili përbën rrezik serioz për shëndetin e konsumatorëve. AKU ngre alarmin

Alarm për sigurinë ushqimore te “Conad”, teksa është zbuluar një trup i huaj te sallami “Galbanetto”.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka lëshuar një paralajmërim të ngutshëm për konsumatorët pas një njoftimi të mbërritur nga sistemi europian RASFF (Rapid Alert System for Food and Feed).

Sinjalizimi i ardhur nga autoritetet italiane ka klasifikuar me “risk serioz” për shëndetin praninë e një trupi të huaj në produktin SALAME GALBANETTO G230 c.a, i cili është importuar edhe në tregun shqiptar.

Sipas të dhënave zyrtare të alertit me numër reference 12364615, loti i prekur nga ky problem është L.264173 me datë skadence 23/10/2026. Produkti është eksportuar nga kompania Conad në Itali dhe është futur në tregun vendas përmes Conad Albania.

Pasi Shqipëria është etiketuar zyrtarisht për ndjekjen e këtij rasti, AKU u bën thirrje të gjithë qytetarëve që e kanë blerë këtë produkt apo e kanë në gjendje, të mos e konsumojnë dhe ta kthejnë mbrapsht pranë pikave ku e kanë blerë.

Skandalet e “Conad”

Rrjeti i supermarketeve “Conad” është përballur edhe më herët me akuza dhe problematika lidhur me tregtimin e produkteve që mund të përbëjnë rrezik për shëndetin e konsumatorëve. Për shkak të këtyre rasteve, aktiviteti i rrjetit ka qenë në fokus të kontrolleve të vazhdueshme nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU), si dhe strukturat përgjegjëse për higjienën dhe sigurinë ushqimore.

Pavarësisht kontrolleve dhe masave të kërkuara ndër vite, “Conad” është sërish në qendër të një tjetër rasti shqetësues. Këtë herë bëhet fjalë për sallamin “Galbanetto”, për të cilin AKU ka ngritur alarmin për një rrezik serioz ndaj shëndetit të konsumatorëve.

Rasti ngre pikëpyetje të forta mbi kontrollet dhe sigurinë e produkteve që përfundojnë në raftet e supermarketeve. Ndërsa produktet e kontestuara mund të tërhiqen nga tregu, shqetësimi kryesor mbetet ekspozimi i konsumatorëve dhe pasojat që mund të sjellë konsumimi i tyre.

©Shqip.com