OP-ED Kolumne

S’jemi kundër tyre, por pro vetvetes!

Xhevdet Pozhari
Xhevdet Pozhari

Publikuar:

Projekt – kodi Civil i Kosovës së shpejti do të jetë tema e ardhshme e diskutimit pas dështimit që ai të votohej në seancën ku më i madh ishte numri i deputetëve që votuan kundër tij, sesa i atyre që ishin  pro.

Projekt-kodi Civil, që kishte nxitur debat të madh muaj më parë, tashmë është në fazën finale dhe pasi të finalizohet do të ri-procedohet tutje për miratim në Kuvend. Ndonëse nuk jepen detaje shtesë, sipas MD-së, megjithatë priten ndryshime në nenin 1138 të Projekt-kodit Civil i cili rregullon martesat.

Pika që deputetët kishin mospajtime gjatë seancës ishte neni i cili do të mundësonte hartimin e një ligji të posaçëm, përmes të cilit do të lejohej regjistrimi i “bashkësive civile” ndërmjet personave të gjinisë së njëjtë.

Sot kur janë shtuar presionet ndërkombëtare, duhet rikujtuar se ne jemi shoqëri që ka mbijetuar falë institucionit të quajtur familje tradicionale dhe nga ne nuk do duhej të pritej përnjëherë të përkrahim koncepte që refuzohen edhe nga shoqëritë që nuk kanë të kaluar traumatike si ajo e jona.

Miqve tanë ndërkombëtarë duhet shpjeguar drejtë se shpesherë qëndrimi kundër një ideje nuk ka të bëjë me mohimin e tjetrit, por me mbrojtjen e vetvetes dhe me frikën se një dukuri e tillë e rrezikon atë që për ne ka rëndësi të veçantë për të mbijetuar si etnitet – familjen.

Shpeshherë është traumatike që një shoqëri konzervative siç është ajo shqiptare ta përballesh me koncepte që thuajse deri dje kanë qenë të pamundura t’i mendosh e lëre më t’i përkrahësh si të tilla. Andaj, qendrimet kundër nuk duhet të merren si mohim i pritjeve ndryshe, por si frikë se ato prirje do dëmtojnë themelin më të fortë të shoqërisë shqiptare – familjen. Veçanërisht kur flitet edhe për zhberjen e prinderisë dhe kur propagandohet mospasja “nënë dhe babë”,  por “prindi numër 1 dhe 2”.

Andaj, në këto rrethana, pse duhet të shihen gjërat njëanshëm, – se kundërshtimi i bashkëshortësisë brenda së njëjtës gjini është kundër atyre, por jo edhe kundër nesh që jemi ithtarë të tradicionales!

Shkurt, të mbrosh të drejtat e botës tradicionale është poaq legjitime sa edhe mbrojtja e të drejtave të personave me prirje të ndryshme seksuale.

Nëse komunitete të caktuara kanë të drejtën të luftojnë për konceptet e tyre, pse tradicionalistët dhe konzervativët mos ta kenë të drejtën që ta kundërshtojnë atë që ata e konsiderojnë si të dëmshme për shoqërinë kosovare?

Andaj, sa i përket martesave midis gjinisë së njëjtë duhet thënë të vërtetën se edhe në një Amerikë që është djep i demokracisë dhe lirive individuale ka debate lidhur me shumëçka që ka të bëjë me prirjet seksuale dhe mbrojtjen e familjes, e lëre më në një Kosovë ku këto tema janë të parakohshme.

Ne si shoqëri konzervative nuk mund të jemi bartës të ideve që janë diskutabile edhe për vendet më liberale! Në këto rrethana nuk jemi kundër askujt, por nuk mund të kërkohet nga ne që të dalim kundër vetvetes!

*Qëndrimet e autorit nuk paraqesin domosdoshmërisht qëndrimet e redaksisë./Shqip.com

/Shqip.com