Sindikatat e Shëndetësisë kërkojnë nga Qeveria që shtesat e personelit shëndetësor të jenë mbi 300 euro, kërcënojnë edhe padi
Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës ka kërkuar nga Qeveria që të marrë vendim për rritjen e shtesave mbi 300 euro dhe që urgjentisht të procedojë Ligjin mbi Pagat, njofton Shqip.com.
Përmes një komunikate për media, FSSHK ka bërë të ditur se nëse këto kërkesa nuk plotësohen, do të përgatisin padi, teksa kërkuan që Ligji i Pagave të aprovohet brenda vitit.
Ndryshe, kjo Sindikatë ka njoftuar se do të pres përgjigje deri më 13 shtator, dhe nëse nuk plotësohen kërkesat, do të organizojnë një manifestim sindikal së bashku me sindikatat tjera për t’i shprehur pakënaqsitë e tyre.
“Duke i shprehur ngushëllime të gjitha familjarëve të viktimave nga COVID-19 dhe të gjithë infektuarve shërim të shpejtë si pasojë e keqmenaxhimit, i lutemi popullatës që të vaksinohen dhe të na mirëkuptojnë sepse edhe ne jemi njerëz e kemi familje”, thuhet ndër të tjera në komunikatën e FSSHK-së.
Gjatë javës së kaluar, Qeveria ka marrë vendim që të ndajë shtesa prej 60 eurosh në muaj për punonjësit shëndetësor gjatë tre muajve të ardhshëm. /Shqip.com
Komunikata e plotë e FSSHK-së:
Këshilli Drejtues i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës në mbledhjen e mbajtur me datë 02.09.2021 pas diskutimit në lidhje me situatën e krijuar me Pandeminë COVID-19 dhe Vendimeve të Qeverisë të marra me datë 25.08.2021 në lidhje me shtesat në pagë për të punësuarit në sektorin publik të indinjuar thellë parashtrojnë këto kërkesa:
1. Shtesat mbi pagë të rishqyrtohen dhe të mirret vendim për rritjen e shtesave të cilat duhet të paguhen në mënyrë retroaktive nga muaji Qershor 2021 deri në përfundimin e Pandemisë, jo më e ulët se 300 euro në të kundërtën pason Padia për shkelje të Ligjit nr. 07/L-006 për parandalimin dhe luftimin e Pandemisë COVID-19 në territorin e Republikës së Kosovës;
2. Urgjentisht të procedohet Ligji mbi pagat(ju rikujtojmë se në Planin Legjislativ për vitin 2021 është paraparë të aprovohet në Qeveri me datë 29.10.2021) dhe të ftohen përfaqësuesit e punëtorëve shëndetësor;
3. Ligji i Pagave të aprovohet brenda këtij viti dhe të fillojë së implementuari nga muaji Janar i vitit 2022;
4. Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës pret përgjigje deri me datë 13.09.2021 nga Kryeministri duke respektuar situatën me Pandeminë COVID-19;
5. Nëse Kryeministri nuk reflekton FSSHK do të ftojë të gjitha organizatat simotra që të na bashkëngjiten në manifestimin tonë sindikal.
6. Duke i shprehur ngushëllime të gjitha familjarëve të viktimave nga COVID-19 dhe të gjithë infektuarve shërim të shpejtë si pasojë e keqmenaxhimit, i lutemi popullatës që të vaksinohen dhe të na mirëkuptojnë sepse edhe ne jemi njerëz e kemi familje