Lajme

Sindikata e Policisë i jep 1 javë ultimatum Qeverisë

Pamje nga takimi i zhvilluar

Këshilli Drejtues i Sindikatës së Policisë së Kosovës, duke u bazuar në pakënaqësitë e shprehura lidhur me pagat e muajit shkurt, gjatë ditës së sotme e ka mbajtur një mbledhje për të adresuar kritikat.

Arsyeja e takimit përveç tjerash, ishte edhe që të analizohen ankesat dhe kërkesat e pjesëtarëve të PK-së duke filluar nga zyrtarët policorë dhe njësitë e stafit civil që punojnë në kuadër të PK-së.

Në këtë takim, përveç anëtarëve të Këshillit Drejtues të Sindikatës kanë marrë pjesë edhe përfaqësuesit nga Flota Operative, Logjistika dhe Drejtoria për menaxhimin e objekteve policore, të cilët para Këshillit Drejtues kanë paraqitur pakënaqësitë dhe ankesat e tyre.

Po ashtu Sindikata e Policisë së Kosovës ka pranuar vërejtje dhe ankesa edhe nga njësitë tjera në kuadër të Policisë së Kosovës të cilat u prezantuan para Këshillit Drejtues.

Pakënaqësitë dhe ankesat e parashtruara para Këshillit Drejtues kanë qenë: Zvogëlimi i pagës neto në disa sektor dhe nivele të ndryshme në kuadër të Policisë së Kosovës

Kjo është kërkesa e tyre:

Kërkojmë nga Qeveria e Republikës së Kosovës që të realizoj shtesat për stafin civil në PK, ashtu siç i kanë realizuar deri më tani para hyrjes në fuqi të këtij ligji dhe gjithashtu të ketë shtesa për punë specifike dhe për kushte të veçanta të punës.

Kërkojmë nga Qeveria e Republikës së Kosovës që stafin civil ta kategorizojë sipas listës së dërguar nga Policia e Kosovës. Po ashtu, kërkesë e veçantë është që një përfaqësues i sindikatës të merr pjesë në cilësinë e vëzhguesit në komisionin për caktimin e rrezikshmërisë dhe shtesave të veçanta për kushtet specifike të punës.

Duke u bazuar në konkluzionet e sipërpërmendura kërkojmë nga Qeveria e Republikës së Kosovës që më së largu deri në fund të javës së ardhshme të marrim përgjigje në kërkesat tona në të kundërtën jemi të obliguar që të shqyrtojmë të gjitha mundësitë dhe hapat e tjera sindikal të parapara me ligj.

/Shqip.com