Art Jetese

Si të filloni humbjen e kilogramëve të tepërt

Pas pushimeve e pas festave, çfarë ka mbetur tanimë janë kilogramët e tepërt.

Po në këtë periudhë, nisin edhe dietat e ndryshme dhe planet e mirëmbajtjes së trupit të cilat shpesh kërkojnë shumë përkushtim.

Rregulli i famshëm i 8 gotave me ujë në ditë qëndron në këtë kohë më shumë se kurrë.

Nëse pëlqeni ta shijoni ujin në çdo kohë, këtë proces drejt pastrimit të organizmit do ta ndjeni si një pjesë të rutinës tuaj të përditshme.

Uji më shumë se çdo pije tjetër ndihmon mëlçinë të largojë toksinat e tepërta dhe ju mban të hidratuar, veçanërisht nëse keni konsumuar shumë alkool, sheqer apo kafeinë në javët e fundit.

Personat mbipeshë të cilët konsumojnë 1-2 litra ujë për disa javë rresht, kanë humbje të masës trupore, reduktim të dhjamit rreth zonës së barkut dhe më pak toksina në organizëm.

Njerëzit shpesh ngatërrojnë ndjesinë e etjes me atë të urisë, ndaj para se të merrni diçka për të ngrënë pini pak ujë të ftohtë.

Në këtë mënyrë do të ndiheni më të ngopur dhe do të digjni më shumë kalori edhe teksa ushqeheni.

Studime më të hershme kanë treguar se kjo mënyrë është mjaft efikase për të humbur deri në 2 kilogramë në një periudhë 12 javore, vetëm duke konsumuar ujë.

Mbani një shishe ujë me vete kudo në versionet e vogla 0,5 l apo në ato më të mëdha për të gjithë familjen dhe qëndroni të hidratuar.

Këtë regjim ndiqeni për të paktën një muaj, shoqëruar me një dietë të shëndetshme me bazë frutat dhe perimet e pasura me ujë.