Lajme

Si po shkon procesi i ndërrimit të targave serbe?

Zëvendësimi i targave në Pikën Kufitare me Serbinë

Sërgjani nga Mitrovica e Veriut, komunë e banuar me shumicë serbe në veri të Kosovës, vendosi t’i ndërrojë targat e tij KM (Mitrovica e Kosovës) me RKS (Republika e Kosovës).

Ai thekson se për një gjë të tillë ka vendosur për arsye praktike dhe shton se i duhet automjeti që të mund ta përdorë për të lëvizur kudo.

Ai po ashtu sqaron se po i ndërron targat KM edhe pse nuk i ka skaduar regjistrimi, sepse ka frikë se autoritetet e Kosovës mund ta ndërpresin procesin e ri-regjistrimit në fund të marsit.

“Dëgjova se procedura është shumë e thjeshtë për automjetet që tashmë janë të regjistruara dhe të cilave regjistrimi me targa KM nuk u ka skaduar”, thotë Sërgjani.

Targat KM, të lëshuara nga autoritetet serbe, të cilat janë të paligjshme për Kosovën, ishin shkas për tensione në veri gjatë vitit 2022.

Fillimisht, më 31 korrik u vendosën barrikada për këtë arsye, e më pas në nëntor serbët u larguan nga institucionet e Kosovës në veri të vendit, për shkak të suspendimit të drejtorit të Policisë për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, i cili refuzoi ta zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e automjeteve në targa RKS.

Pas angazhimit të madh të vendeve perëndimore, Kosova dhe Serbia arritën të bien dakord për këtë çështje në fund të nëntorit të vit`it të kaluar, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

Kosova pranoi të pezullojë procesin e riregjistrimit, i cili parashikonte afate specifike. Ndërkaq, Serbia u pajtua të mos lëshojë targa të reja për qytetet e Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar, më 22 mars, se sipas informacioneve të tij nga Ministria e Punëve të Brendshme, gjithnjë e më shumë qytetarë nga veriu po marrin targa RKS.

Vlerësohet se në veri të Kosovës janë rreth 10 mijë vetura të regjistruara me targa KM, raporton REL.

/Shqip.com