Lajme

Shtatë persona të arrestuar nga aksioni i sotëm për rastin “Brezovica”, Prokuroria jep detaje

Shtatë persona janë arrestuar nga aksioni të cilin e ka zhvilluar Prokuroria e Shtetit në kuadër të rastit “Brezovica”

Lajmin për Shqip.com e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Vjosa Baftiu e cila tha se personat e arrestuar janë nga aksioni i zhvilluar në 11 lokacione.

“Po ju njoftojmë se në aksionin e zhvilluar si rrjedhojë e rastit ‘Brezovica’ janë arrestuar shtatë persona”.

Sipas Baftiut tetë nga lokacionet janë në Prishtinë, një është në Podujeve dhe dy në Fushë Kosovë.

“Në 11 lokacionet e bastisura në të cilat është zhvilluar aksioni, tetë prej tyre janë në Prishtinë, dy në Fushë Kosovë dhe një është në Podujevë”.

Në vendin e ngjarjes janë sekuestruar edhe prova materiale, por Baftiu tha se janë duke pritur edhe raportin policor për të dalur me një komunikatë ndërsa, personave të arrestuar ju është shqiptuar ndalimi për 48 orë.

“Ka prova materiale të sekuestruara por jemi duke e pritur raportin policor që të dalim me një komunikatë për media dhe detaje shtesë. Prokurori ka shqiptuar masën e ndalimit për 48 orë për personat e arrestuar ndërsa, sot gjatë ditës do të bëjë kërkesën për caktimin e paraburgimit ndaj këtyre personave”.

Personat e arrestuar dyshohen për fajde, dhënje rryshfeti dhe ushtrim i ndikimit./Shqip.com