Lajme

Shqipëria – Serbisë: Largoni trupat ushtarake nga kufiri me Kosovën

Arsenali ushtarak i Serbisë.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme në Shqipëri, ka kërkuar nga Serbia që të largojë trupat ushtarake të vendosura afër kufirit me Kosovën.

Përmes një reagimi, MPJ e Shqipërisë e ka parë me shqetësim situatën e krijuar në Veriun e Kosovës.

Në kumtesë pos tjerash përmenden edhe patrullimet helikopteresh serbë pranë pikave kufitare në Jarinje dhe Bërnjak, si dhe sulmi ndaj Qendrës së Regjistrimit të Automjeteve në Zubin Potok.

Lexo edhe:
E përmendi Kurti si organizator i bllokadave në veri, vjen reagimi i Dajkovićit

“Ne i nxisim të gjithë aktorët të tregohen të përmbajtur dhe të drejtohen menjëherë drejt dialogut, si e vetmja mënyrë për të ecur përpara dhe për të zgjidhur çështjet e mbetura pezull me frymën e bashkëpunimit, ndaj të cilave Shqipëria është angazhuar në mënyrë të pakthyeshme, në përpjekjet e saj dypalëshe dhe shumëpalëshe”, thuhet në reagim.

“Si një aleat i NATO-s dhe një anëtar i përgjegjshëm i Kombeve të Bashkuara, Shqipëria do të bëjë gjithçka që është e nevojshme për të mbështetur të gjitha përpjekjet drejt ç’tensionimit të menjëhershëm të situatës dhe kthimit drejt dialogut”, përfundon deklarata e MPJ-së.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Republikës së Shqipërisë 

Kjo deklaratë vjen një ditë para se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ta vizitojë Kosovën.

Kosova dhe Shqipëria po përballen me divergjencë qëndrimesh për sa i përket iniciativës “Ballkani i Hapur”.

Kjo temë u bë “mollë sherri”, edhe gjatë vizitës së kancelares gjermane, Angela Merkel, ku Rama tha se “Kosova po merret me konspriacion”, sa i përket “Ballkanit të Hapur”.

Por, për Edi Ramën këto divergjenca janë një mundësi më shumë për të diskutuar me Kosovën. /Shqip.com

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe ai i Kosovës, Albin Kurti.