Lajme

Shqipëria regjistron 15 rastet e para me Flurona të COVID-19

Varianti Flurona i COVID1-9

Në Shqipëri janë regjistruar 15 rastet e para me variantin Flurona të Coronavirusit.

Instiuti i Shëndetit Publik ka bërë të ditur se të prekurit me këtë variant janë zbuluar në mes të janarit dhe fillim shkurti.

Epidemiologu, Artan Simaku, ka thënë për Tv Klan se rastet e evidentuara janë me bashkë-infeksion të COVID-19 dhe gripit, dhe sipas tij këto raste janë aktualisht të përmirësuar dhe kanë dalë nga spitali.

“Janë rreth 15 raste nga të cilat mosha mesatare është 60 vjeç, rast pediatrik ka qenë vetëm një rast dhe tani fëmija është në shtëpi në gjendje të mirë shëndetësorë”, ka shtuar Simaku.

Simaku ka thënë se rreth 70 përqind e të prekurve kanë qenë të pavaksinuar ndaj COVID-19 dhe të gjithë kanë qenë të pavaksinuar ndaj gripit.

Epidemologu, Artan Simaku

“ Kjo e konfirmon edhe njëherë rëndësinë e madhe të vaksinimit ndaj të dy viruseve, ndaj Covid-19 dhe gripit. Vaksinimi ndaj Covid nuk duhet të ndërpritet për të pasur një mbrojtje më të madhe ndaj virusit”, ka thënë ai.