Lajme

Shqipëria me nismë të re për ruajtjen dhe forcimin e gjuhës shqipe

Shqipëria ka filluar një nismë të re e cila lidhet me prioritetin dhe forcimin e gjuhës shqipe.

Përmes një video-mesazhi, ministrja e Arsimit, Evis Kushi tha se në këtë kuadër kanë shpallur një konkurs kombëtar të gjuhës shqipe.

“Sot në Ditën Ndërkombëtare të Arsimit, do të iu prezantojmë me nismën tonë më të re që lidhet me prioritetin e ruajtjes dhe forcimit të Gjuhës Shqipe. Në këtë kuadër, kemi shpallur konkursin kombëtar të gjuhës shqipe, midis klasave të nënta nga të gjitha shkollat dhe qytetet e vendit”, tha Kushi.

Kushi tha se konkursi do të zhvillohet në dy faza, ku faza e dytë do të transmetohet edhe në televizionin publik të Shqipërisë.

“Konkursi do të zhvillohet në dy faza: e para në nivel zyrash arsimore dhe e dyta në nivel kombëtar. Zhvillimi i fazës së dytë të konkursit, do të transmetohet në televizionin publik shqiptar—RTSH-Shkolla deri në muajin maj me 13 episode dhe me një finale të madhe”.

Tutje, Kushi tha se në këtë mënyrë, ne do të mundemi të kthejmë vëmendjen e nxënësve, të të rinjve, por jo vetëm tek standardet e gjuhës shqipe.

/Shqip.com