Lajme

Shqip.com siguron aktvendimin e plotë të caktimit të paraburgimit për dy zyrtarët e MINT dhe biznesmenit, Ridvan Muharremi

Gjykata Themelore në Prishtinë
Gjykata Themelore në Prishtinë

Shqip.com nga burimet e sigurta brenda Gjykatës Themelore në Prishtinë ka siguruar aktvendimin e plotë të caktimit të paraburgimit për dy zyrtarët Irfan Lipovica, Hafiz Gara dhe Ridvan Muharremi.

Në aktvendim thuhet se, caktohet masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaj e cila do të llogaritet nga koha e arrestit, respektivisht nga data 18 gusht 2023 në orën 10:30 dhe do të zgjasë deri me datë 18 shtator 2023, në harmoni me nenin 184 paragrafi 1 nenparagr. 1.1. e 1.2 pika 1.2.2. e 1.2.3 të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës.

Lexo edhe:
Shqip.com siguron dokumentin e Prokurorisë Speciale lidhur me keqpërdorimet e rezervave shtetërore

Arsyetim

Prokuroria Speciale e Republikës se Kosovës (tutje PSRK), me aktvendimin PPS.nr.62/2023 të datës 17.08.2023 ka filluar hetimet ndaj të pandehurve sikurse në hyrje të këtij aktvendimi, ndërsa me datë 18.08.2023 ka parashtruar në gjykatë Kërkesën për caktimin e paraburgimit dhe atë, me arsyetimin se ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale të përshkruara detajisht në kërkesë, njëherësh konsideron së janë plotësuar kushtet ligjore të përcaktuara ne nenin 163 par.2 nën par. 2.5, pika, 2.5.1, 2.5.2 dhe 2.5.3 te KPP, andaj me qëllim të krijimit të kushteve normale për hetim në ketë çështje penale, pasi që masat tjera të parapara në nenin 171 të KPRK janë vlerësuar të pamjaftueshme, i kërkon gjykatës që të caktohet masa e paraburgimit për të pandehurit Irfan Lipovica, Hafiz Gara dhe Ridvan Muharremi.

Gjyqtarja e procedurës paraprake me datë 19.08.2023 ka mbajtur seance dëgjimore, në të cilën prokurori i shtetit nga PSRK lexoi kërkesën dhe elaboroi arsyet në të cilat e mbështet kërkesa duke iu referuar kushteve të parapara ligjore të përcaktuara në nenin 163 par.2 nen par. 2.5, pika, 2.5.1, 2.5.2 dhe 2.5.3 të KPP.

Mbrojtësi i të pandehurit Irfan Lipovica av. Durim Osmani ka kundërshtuar kërkesën e PSRK duke theksuar se nuk është provuar me prova të artikuluara dyshimi i bazuar e as ekzistimi i rreziqeve alternative.

Sipas mbrojtjes prokuroria pretendon se i mbrojturi i tij i pandehuri Irfan Lipovica si person zyrtar ka bërë kërkesë pranë Qeverisë që çështja e furnizimit me rezerva shtetërore të behet me përjashtim të Ligjit për Prokurim Publik dhe se kjo kërkese është bërë në kundërshtim me normat imperative dhe potencialisht pa u plotësuar kushtet nëse ekzistojnë këto norma, si dhe pagesa e avansit është bërë pa bazë të caktuar ligjore, mirëpo tek këto pretendime mbrojtja kundërshton ekzistimin e dashjes direkte dhe qëllimin e të mbrojturit të tij të tejkalojë autorizimet ose të shpërdoroi keqpërdorimin zyrtar.

Në vazhdim mbrojtësi theksoi se, çështja e përjashtimit te Ligjit për Prokurim Publik nuk rregullohet me Ligjin për Rezervat Shtetërore por rregullohet me Ligjin special për Prokurim Publik te vitit 2011, po ashtu ligji i cekur për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Prokurim publik nga ana e prokurorisë nuk rregullon çështjen e përjashtimit nga Ligi i Prokurimit Publik, por zëvendëson nenin 168 të Ligjit për Prokurim Publik. Sipas nenit 3 par.1 të Ligjit për Prokurimin Publik janë përcaktuar rrethanat e përgjithshme dhe të veçanta dhe procedurat për përjashtimin e një procedurë të tendermit nga aplikimi i Ligjit të Prokurimit Publik për pasoje të gjitha procedurat, rregullat në rastet e tilla aplikohen me rregulla të tjera tenderuese sipas udhëzimit administrativ, Rregullores për prokurimin për qëllime të mbrojtjes dhe sigurisë, pra edhe në rastet e përjashtimit të Ligjit për Prokurim Publik përsëri ka rregulla që e rregullon çështjen e tenderimit me përjashtim të përjashtimit të publicitetit të çështjes për shkak të natyrës se disa llojeve të kontratave.

Gjetjet e Gjykatës:

Gjyqtarja e procedurës paraprake, pas dëgjimit të elaborimit të kërkesës për caktimin e paraburgimit nga prokurori i PSRK, të pretendimeve te mbrojtësve të të pandehurve dhe vet të pandehurve, si dhe pas shqyrtimit të shkresave tjera të lëndës, erdhi në përfundim së Kërkesa e PSRK duhet aprovuar ngase janë plotësuar kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve, të parapara me nenin 184 par. 1 nempar. 1.1 dhe 1.2 pika 1.2.2 dhe 1.2.3 të КРР.

Dyshimi i bazuar

Gjykata ka analizuar nenin 19 të KPP, lidhur me përkufizimet ne lidhje me dyshimin e bazuar, ashtu që në pikën 1.9 dyshim i bazuar përkufizohet si: “njohuri për informacionin që do të bindte një vëzhgues objektiv që një vepër penale ka ndodhur, po ndodh ose ka mundësi të konsiderueshme që do të ndodhë dhe se personi në fjalë ka më shumë gjasa që të ketë kryer veprën penale se sa që të mos e ketë kryer atë.

Dyshimi i bazuar duhet të mbështetet në prova të artikulueshme.

Ndërsa, në pikën 1.31 të nenit 19 të KPP jepet përkufizimi kur informata apo prova duhet të jetë e artikulueshme: “pala e cila e paraqet informacionin apo provën duhet te specifikoje në detaje informatën apo provën në të cilën mbështetet”.

/Shqip.com