Kulturë

“Shpalim Kujtimesh” është determinues  dhe intrigues për lexuesin

Sot dolën nga botimi dy libra te autorit Xhemajli Shala, ‘Shpalim kujtimesh’, libër me poezi dhe ‘Heronjtë e paqes’, libër me tregime.

Në vazhdim po paraqesim recensionin e shkrimtarit, njëherësh botuesit, Fatmir Halimi, për librin me poezi, ’Shpalim kujtimesh’.

Vështrim rreth veprës poetike “Shpalim kujtimesh” të autorit Xhemajli Shala

Libri poetik i Xhemajli Shales ‘Shpalim kujtimesh’ vjen para lexuesve tanë si një buqetë me lule në këtë fillim vit. Ky libër e pasuron bibliotekën tonë, e zbukuron pamjen dhe e shton koloritin e fjalës së bukur artistike. Vetë titulli ‘Shpalim Kujtimesh’ është determinues  dhe intrigues për lexuesin dhe për dashamirin e shprehjes artistike, që nënkupton se kemi të bëjmë me një vepër poetike që shpreh plot ndjesi, plot dashuri për atdheun, për familjen, për individin, dhe për shumë dukuri që lidhen me shoqërinë tonë sot. Në veprën ‘Shpalim kujtimesh’ kemi poezi të ndërtuara me një stil të veçantë, me një gjuhë të kuptueshme nga secili lexues, për arsye se këto poezi janë burim nga shpirti i autorit, janë poezi të mbushura me plot dashuri, e me plot mall, e ndjenja të pastra të autorit për vendlindjen e tij, pasi siç vërejmë, autori tash e një kohë të gjatë jeton larg Kosovës.

Poezia kështu si është shkruar, jep shkas për interpretime të shumta, të gjithanshme e shumëdimensionale, për më tepër edhe për mesazhin e saj universal.  Këto përkufizime krijojnë mozaikun e tërësishëm të mendimit kritik, për poezitë lirike të shkruara kujdesshëm dhe të realizuara bukur nga poeti Shala.

Poezitë e poetit Xhemajli Shala përfaqësojnë momente të ngjarjeve dhe përvojave jetësore për gjatë këtyre viteve, që paskan lënë gjurmë në shpirtin e tij, andaj tani ne i shijojmë si metaforë e përpunuar dhe si simbolikë letrare-artistike.

Te poezia e Shales, vërehet se ai ka punuar me përkushtim përsa i përket anës estetike dhe artistike, ku tronditja dhe përplasja janë bërë art i vargut të tij, kurse përshkrimi artistik i ngjarjes është prirje dhe afinitet krijues, andaj poezitë janë të realizuar artistikisht. Metafora në vargun e tij është e liruar nga mbingarkesa klasike, e cila shpreh realitetin e rëndë të shoqërisë sonë përgjithësiaht.

 Përveç metaforës poezitë e tij kanë edhe elemente përkushtuese, ku përjetimi përkushtues më së miri shprehet te poezia ’Lamtumirë’, që i kushtohet atdheut dhe nënës:

“Lamtumirë o familja ime
Lamtumirë o farefisi im
Lamtumirë shkrepa, male, ara e fusha
Me mallin tuaj gjithmonë do të jem

Unë ika
Braktisa nënën e dashur
E lashë duke vajtuar te pragu i shtëpisë
Ika në kurbet për një jetë më të mirë
E bredha rrugëve të botës si një i huaj.”

Perveç metafores, simbolit, përkushtimit, etj., poezia e Shales është e pasur edhe me figura të tjera stilistike si; epitetin, hiperbolen e sidomos me retrospektiven që shumë bukur shprehet te poezia ‘Shpalim kujtimesh’ që njëherit edhe është vetë titulli i librit të tij:

‘Duke shpaluar kujtimet e jetës
Përpara më dalin
Radhët e gjata në mensën studentore
Më kujtohen puthjet tona të zjarrta
Me ty dashuria ime e jetës rinore


Më kujtohet kur ecnim
Bashkë nëpër shëtitore
Kur mësonim në Bibliotekën Kombëtare
E nostalgjia më rrëmben
Për ditët studentore’

Duke e parë veprën si tërsi, tipologjia e saj si shprehje e gjuhës artistike, si metaforë dhe si simbol ka figurën e MALLIT. Kjo figurë vërehet gati te të gjitha poezitë e poetir Xhemajli Shala, sepse poeti në këtë rast ka mall për atdheun, ka mall për shoqërinë e rinisë së tij, ka mall për nënën, për mikpritjen shqiptare, për sofrën tonë e për shumë e shumë gjera të tjera që lidhen me jetën tonë këtu:

‘MË PRIT OJ TOKË DARDANE

Hej Dardani o vendi im
Shumë kam mall për ty
Natë e ditë ty të kam në mendje
Sa shumë të ndjejë  me zemër
Sa shumë të adhurojë me shpirt

Dardani o tokë e lënë amanet nga të parët tanë
Dhuratë nga prindërit tanë
ta ruajmë, ta respektojmë e ta çmojmë

Dardani shpirti për ty më digjet në kurbet
Lum ne tash do të vijmë të çmallemi me ty
Se kam shumë malli për atë vatër
për atë tokë të shenjtë’

Këtu, vërehet edhe gjuha e pastër, letrare e standarde e çliruar nga zhargonet, krahinizmat, apo edhe nga dialektizmat.

Prandaj si konkludim për librin poetik ’Shpalim kujtimesh’ mund të nxjerr se tematikë e tij është jeta aktuale e popullit tonë përgjithësisht. Marrë në tërësi si temë, kjo është e mbështjell me ngjarje të ndryshme, të cilat e rrethojnë individin, i cili shpreh mllefin e tij për dukuritë negative, për veset në shoqërinë tonë, për oportunizmin, e për shume e shumë dukuri të tjera.

Kurse si motiv, poeti Shala ka dashurinë, si dashurinë për atdheun, për të dashurën, që herë është larg saj e herë është afër edhe e mbështjell e shtrëngon me afsh, por edhe dashurinë për nënë dhe mallin që ka për të, se është larg saj.

Autorit i uroj të mos ndalet së shkruari, që edhe në të ardhme të na sjellë poezi me kaq ndjesi e frymëzim të ri.

/Shqip.com