Ekonomi

Shoqata e Naftëtarëve i ankohet Kurtit: Çmimet e MINT-it i kanë sjell kompanitë e vogla buzë falimentimit

Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve, Fadil Berjani

Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve, Fadil Berjani, i është drejtuar me një letër kryeministrit Albin Kurti, pas vendimit për caktimin e tavanit të çmimeve për derivatet e naftës.

Në letër thuhet se vendimi i Qeverisë i ka sjellë kompanitë e vogla me pakicë buzë falimentimit.

Sipas Berjanit, vendimi i Qeverisë i premtuar 12 cent për liter nuk është duke u zbatuar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

“Ju njoftojmë edhe njëherë se Vendimi i Qeverisë së Kosovës lidhur me sektorin e naftës i ka sjellur kompanitë e vogëla me pakicë buzë falimentimit. Ky vendim i Qeverisë i premtuar 12 cent për liter nuk është duke u zbatuar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë. Pikat me pakice janë furnizuar dje me cmimin 1.71 cent brenda territorit të Rep. së Kosovës, ndërsa Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë e cakton cmimin me 1.75 cent, ku sipas kësaj pikat e vogëla të karburantit nuk mund të mbijetojnë më 4 cent”, thuhet në letrën e Shoqatës.

Letra nga Shoqata e Naftëtarëve për Qeverinë

Berjani në një përgjigje për Shqip.com dhënë javë më parë e kishte konsideruar si kalkulim të gabuar caktimin e marzhës së fitimin me pakicë dhe shumicë sipas MINT-it.

Lexo edhe:
Berjani reagon pas vendimit të MINT-it: Çmimet e reja janë kalkuluar gabimisht

Ai i ka apeluar Qeverisë që ta rishikoj këtë vendim.

“Andaj, i apelojmë Qeverisë së Kosovës që sa më parë ta revidoj vendimin, të bëhet kalkulimi i importit, shitja me pakicë si dhe të caktohet çmimi nga ana e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, me qëllim që mos me i shuar bizneset e vogëla në këtë kohë krize”, thuhet në letër.

Siç kishte njoftuar MINT, vendimi është marrë “bazuar në nenin 5 të Udhëzimit Administrativ Nr.03/2022 Për Rregullimin e Çmimeve të Produkteve të Naftës dhe Karburanteve të Ripërtërishme dhe Masat e tjera Mbrojtëse”.

Në nenin 4- të të këtij udhëzimi administrative thuhet se çmimi për marzhën tregtare maksimale për litër të produktit të naftës shitur me shumicë është 2 centë, kurse për litër të produktit të shitur me pakicë është 12 cent.

Theksojmë se çmimi i naftës në vend kishte arritur deri në 1.90 cent./Shqip.com