Lajme Botë

Shkon në 164 numri i të vdekurve nga protestat në Kazakistan

Rruget ne Kazakistan

Së paku 164 persona kanë vdekur në Kazakistan gjatë protestave të dhunshme anti-qeveritare, shkruan BBC duke cituar raportet e zyrtarëve shëndetësorë.

Nëse ky numër është i saktë do të nënkuptonte një rritje jashtëzakonisht të madhe të vdekjeve, nga sa ishin më herët – 44.

Veç të vdekurve, gati 6 mijë persona janë arrestuar, duke përfshirë “një numër të konsiderueshëm të shtetasve të huaj”, kanë thënë zyrtarët nga presidenca në Kazakistan, kur kanë folur për media të dielën.

Demonstratat, të nxitura nga rritja e çmimit të naftës, u kthyen në protestë të dhunshme që tashmë është shpërndarë në gjithë vendin.

Gjithçka filloi me 2 janar dhe u rrit duke reflektuar pakënaqësinë në qeverinë dhe ish-presidentin Nursultan Nazarbayev, i cili udhëhiqte me Kazakistanin për tri dekada dhe ende besohet të jetë nga figurat më të rëndësishme atje.

Javën e kaluar, trupa ushtarake duke përfshirë edhe ato ruse janë dërguar në Kazakistan për të ndihmuar të vihet rend dhe rregull përsëri në vend.

Nga presidenca, thonë se gjendja është stabilizuar, me ushtarakët që kanë ndërmarrë “operacione pastrimi” dhe janë vënë në mbrojtje të “objekteve strategjike”.

Megjithatë, vendimi për shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme ende mbetet në fuqi.

Kazakistani – të dhëna bazike

Ku është? Kazakistani ndanë kufirin me Rusinë në veri dhe Kinën në lindje. Është vend me sipërfaqe tepër të madhe, përafërsisht sa Evropa Perëndimore.

Pse ka rëndësi? Është një republikë ish-sovjetike, e populluar me shumicë myslimane me një minoritet të madh rus. Ka shumë resurse minerale, dhe ka 3 për qind e rezervës së naftës në nivel global. Gjithashtu ka sektorë të rëndësishëm të qymyrit dhe gazit.

Pse po bën lajm sot? Protesta për derivate, që eskaluan për t’u shndërruar në protestë anti-qeveritare. Deri tani kanë dhënë dorëheqje disa figura të rëndësishme dhe demonstrimi i dhunshëm po vazhdon./Shqip.com