Lajme

Shkollat profesionale “çelës” për migrim – Kosova në krizë për punëtorë

Qëllimi që të largohet nga Kosova iu realizua një të riut nga Skenderaj.

G.S, është në mesin e 42 mijë e 728 personave që janë larguar nga vendi në vitin 2021.

Për SHQIP.com, i riu ka treguar se profesionin që ka kryer në Qendrën e Kompetencës, është duke e ushtruar në Norvegji.

“Pritshmëritë janë arritur, pasi në përfundim të shkollës së mesme kam pasur mundësinë që të dal jashtë vendit, për një punë më të mirë dhe fitimprurëse. Aktualisht të njëjtin profesion që kam studiuar,  jam duke e vendosur në funksion këtu. Kam studiuar për tri vite Energji, Klimatizim dhe Mjedis në Skenderaj”, ka thënë G.S.

Ai tha se ikjen nuk e kishte menduar më parë, por gjërat ndryshuan kur u përkeqësua situata ekonomike.

“Nuk ka qenë synimi im, pasi kam pas dëshira tjera. Në klasën e nëntë më ka ardhur ky qëllim. Nuk e kam parë jetën në Kosovë, as të ardhmen time. Të rinjve iu rekomandoj që të shkojnë në shkolla profesionalë se janë një hap më afër tregut të punës”.

Vlug i madh i kërkesave për regjistrim

Drejtori i Qendrës së Kompetencës në Skenderaj, Armend Bajraktari, ka thënë për Shqip.com se kërkesat i kanë më të mëdha se planifikimet.

“280-300 nxënës aplikojnë. Mundësitë që i ofron shkolla janë të shumta, kërkesat janë të mëdha. Të gjitha profilet janë të kërkuara. Më shumë ka kërkesa sesa planifikim. Profili më i kërkuar është instalim, ujë dhe ngrohje. 200 deri 220 persona diplomojnë gjatë një viti”, ka deklaruar Bajraktari për SHQIP.com.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, flasin për 42 mijë e 728 banorë që janë larguar në mënyrë legale dhe ilegale.

“Pjesa dërrmuese e emigrantëve për vitin 2021 ishin emigrant legal. Arsyet e këtij emigrimi, janë nga më të ndryshme si, bashkim familjar, martesa, gjendja ekonomike, studime, etj. Gjilani prin më numrin më të madhe të emigrimeve me 4 mijë e 320, pasuar nga Prizreni 2 mijë e 707, Prishtina 2 mijë e 625, Vushtrri me 2 mijë e 579 dhe Suhareka 2 mijë e 542”, thuhet në përgjigjen e ASK-së për Shqip.com.

Kosova për disa vjet do të këtë krizë për punëtorë

Njohësi i ekonomisë, Lulëzim Beqiri, ka thënë se vendi ka nevojë për politika të reja zhvillimore, pasi rrezikon të hyj në krizë për fuqi punëtorë pas disa vitesh.

“Nëse ky trend vazhdon, republika jonë do të ballafaqohet me mungesë të fuqisë punëtore e fuqisë blerëse. Shteti duhet të jetë një hap para lidhur me mungesën e fuqisë punëtore, duhet krijuar kushte të favorshme për punëtorët, politika zhvillimore për sektorin privat, e strategji afatgjate për t’u përballur me mungesën e fuqisë punëtore. Kosova po humb edhe fuqinë blerëse. Këtij vendi i duhen politika zhvillimore, kujdes ndaj punëtorit, përmirësimin e kushteve të vendit të punës”, ka thënë Beqiri.

Sipas tij, personat që janë duke u larguar, janë profesionistë, ndërsa fajin ia hedh keqqeverisjes.

“Janë qindra mjekë, inxhinierë, ekonomistë, arkitektë e punëtorë krahu që po ikin me të madhe nga Kosova jonë e bukur. Tashmë kriza veçse ka filluar të troket në dyert e bizneseve kosovare. Janë qindra arsye për të ikur, jo për faktin se ky vend ka ndonjë mangësi. Në fakt mangësia e vetme e Kosovës, është se ka një klasë politikanësh të pangopur dhe kjo pangopësi po vazhdon tash e dy dekada. Në njërën anë politikanë milionerë e në anën tjetër qytetarë që jetojnë buzë greminës. Arsyeja kryesore që shqiptarët e Kosovës po ikin nga atdheu i tyre, janë politikat e gabuara ekonomike nga të gjitha qeveritë që kanë udhëhequr. Janë qindra mijëra konkurse të kurdisura, punësojnë dajallarë, nipa, mbesa, kushërinj, tezakë, por ama shumica pa meritë, thjesht ky fenomen ka shtri rrënjë dhe nuk ke mundësi me u punësu në Kosovë, nëse nuk ke dikë, apo nuk jep para. Nuk ka institucion në vend që nuk është prek nga ky fenomen çoroditës”, tha ai për SHQIP.com.

Të njëjtin mendim me Beqirin e ndan edhe drejtori i Qendrës së Kompetencës në Skenderaj, Armend Bajraktari, i cili tha se tregu evropian është më i favorshëm dhe për këtë bizneset duhet të vetëdijesohen.

“Nxënësit direkt nuk e thonë se ky është qëllimi pse kanë zgjedhe shkollë profesione, por lë të nënkuptohet më pas nga rrugët që ata marrin. Ne mundohemi se më rrit cilësinë sa më shumë për tregun vendor, por kjo situatë është duke e diktuar gjendjen. Tregu evropian po është më i favorshëm në shumë elemente tjera. Nuk është vetëm puna e pagesës dhe kushtet e punës, por edhe sigurimi shëndetësor, stabiliteti në punë, pagesa jashtë orarit, kompensimi, e të gjitha këto”, ka shtuar ai.

Ai tha se vetëm një pagë konkurruese dhe kushte të favorshme, do të ndalnin këtë trend të ikjes.

Trendit të ikjes nga vendi u janë bashkëngjitur edhe punëtor të sektorit publik, ku gjendja më e rëndë paraqitet në sektorin e shëndetësisë.

/Shqip.com