Kulturë

“Shkoftëlargsh” dhe “art”, qytetarët flasin për grafitet te Rruga B

Grafit

Muret në “Rrugën B” në Prishtinë janë zbukuruar me grafitet shumëngjyrëshe të realizuara në edicionin e gjashtë të festivalit “Meeting Styles”.

Të tilla grafite ka edhe në disa lagje të tjera të Prishtinës si; Arbëri, Dardani dhe Kalabria.

Prishtinasit kanë thënë se ato e kanë zbukuruar qytetin dhe se kanë kërkuar që të tilla të vendosen edhe në pjesë të tjera të qytetit si; Bregu i Diellit, Lagje të Spitalit e Pallati i Rinisë.

 “Prishtina ka shumë vende ku mund të bëhen kësi grafite, sepse ka vetëm shkrime. Shkrime që janë pak palidhje nashta. E kështu ish kon mirë me bo grafite me i zbukuru.”, është shprehur një qytetar.

Një tjetër banore kërkoi që këto grafite të vendosen në hapësira ku njerëzit kanë më shumë mundësi t’i shohin dhe të kuptohet çartë mesazhi i tyre.

“Ku ka hapësirë të mjaftueshme dhe ku njerëzit kanë mundësi me i pa dhe lexohet mesazhi, porosia e tyre.”, ka deklaruar ajo.

Por, kishte edhe nga ata që ishin mërgimtarë dhe ishin të kënaqur me artin e rrugës që ishte punuar në kuadër të festivalit.

“Për mua është mirë, për shembull se unë jetoj në Gjermani, atje s’ka kësi sene.”, është shprehur mërgimtari.

Krahas rinisë, duket se për moshën e shtyrë muralet e mbushura me art nuk janë të pëlqyera.

“Mirë hiç, mua s’po më doket kumedit çka, nashta për të rinjtë mirë, është mirë. Me kon naj farë fotografie që e han syni apet, amo qeto diqysh, sikur me kanë ata shkoftëlargsh.”, është deklaruar një i moshuar.

Festivali “Meeting of Styles” filloi për herë të parë në Gjermani në viti 2002 nga admiruesit e grafiteve me qëllim të mbështetjes së shkëmbimeve ndërkulturore në mes shteteve të ndryshme të botës.

Në edicionin e gjashtë të këtij festivali që u mbajt në Prishtinë morën pjesë mbi 100 artistë nga mbarë bota./Shqip.com