Lajme

Shërbimi Korrektues pezullon nga puna dy zyrtarë për “shkelje të rëndë” në rastin e Astrit Deharit

Ish-aktivisti i LVV-së, Astrit Dehari

Shërbimi Korrektues i Kosovës ka pezulluar nga puna, Burim Buleshkaj, ish-ushtrues detyre i drejtorit të Departamentit për Operativë Siguri dhe Transport të të Burgosurve në SHKK, aktualisht udhëheqës për Administratë në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë si dhe Destan Zogaj, zyrtar korrektues, ish-ushtrues detyre i Drejtorit në Qendrën e Paraburgimit Prizren.

Sipas ShKK, ndaj tyre është iniciuar procedurë disiplinore për shkelje të rëndë lidhur me veprimet, mosveprimet duke ju referuar rastit të ish-aktivistit të LVV-së, Astrit Dehari.

“Komisioni Disiplinor i Shërbimit Korrektues të Kosovës ka vlerësuar se ushtrimi i detyrës në funksionet të cilat i kanë, pengon hetimin disiplinor apo mund të cenojë ushtrimin e përshtatshëm të detyrës”.

Andaj, Komisioni Disiplinor i Shërbimit Korrektues të Kosovës  vendos pezullimin e nëpunësve civilë, për të vazhduar tutje me procedurat hetimore dhe të rishqyrtimit të të gjitha rrethanave lidhur me ngjarjen dhe përgjegjësitë”, thuhet në komunikatë.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu

Ky vendim, vjen një javë pasi ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu në një konferencë për media kishte nrge dyshime për keqpërdorim të provave nga SHKK-ja dhe kryeinspektori i MD-së në rastin Dehari.

Ajo tha se ka kërkuar hetim nga Inspektorati i Ministrisë së Drejtësisë për të sqaruar zbatimin e procedurave brenda Shërbimit Korrektues të Kosovës se nëse zyrtarët e këtij institucioni kanë zbatuar përgjegjësitë e tyre në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Haxhiu kishte deklaruar se marrja dhe posedimi i inçizimit të kamerave me aprovim të ish-drejtorit të Qendrës të Paraburgimit në Prizren, Destan Zogaj tek zyrtarët Ylber Topalli, Burim Buleshkaj dhe anëtarët e komisionit tjetër përbënë shkelje të legjislacionit penal dhe legjislacionit përkatës për mbrojtjen e të dhënave.

Lexo edhe:
Haxhiu ngre dyshime për keqpërdorim të provave nga SHKK-ja dhe kryeinspektori i MD-së në rastin Dehari

Në nëntor të vitit 2016, ish-aktivisti i Vetëvendosjes Astrit Dehari, në rrethana të panjohura kishte ndërruar jetë në Qendrën e Paraburgimit në Prizren./Shqip.com