Lajme

Haxhiu ngre dyshime për keqpërdorim të provave nga SHKK-ja dhe kryeinspektori i MD-së në rastin Dehari

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu

Ministrja e Drejtëisë, Albulena Haxhiu në konferencën e thirrur për media, ka folur për vdekjen e ish-aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari.

Ajo tha se ka kërkuar hetim nga Inspektorati i Ministrisë së Drejtësisë për të sqaruar zbatimin e procedurave brenda Shërbimit Korrektues të Kosovës se nëse zyrtarët e këtij institucioni kanë zbatuar përgjegjësitë e tyre në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Në gjetjet e Inspektoratit të MD-së, sipas Haxhiut janë vërejtur shkelje të mëdha.

“Marrja dhe posedimi i inçizimit të kamerave me aprovim të ish-drejtorit të Qendrës të Paraburgimit në Prizren, Destan Zogaj tek zyrtarët Ylber Topalli, Burim Buleshkaj dhe anëtarët e komisionit tjetër përbënë shkelje të legjislacionit penal dhe legjislacionit përkatës për mbrojtjen e të dhënave”.

Ministrja e këtij dikasteri tha se incizimet e kamerave të sigurisë janë marrë nga kryeinspektori i MD-së dhe zyrtarët e SHKK-së, para se ato t’i merrtte Policia e Kosovës.

Ajo tha se sipas ligjit autoriteti kompetent për marrjen e incizimeve është policia.

Astrit Dehari

Në anën tjetër, zyrtarët tjerë mund të kenë qasje në incizime por asesi t’i marrin ato përmes USB-së dhe asesi para PK-së.

Sipas raportit, kryeinspektori në vitin 2016-të ka nxjerrë dy raporte kontradiktore.

Haxhiu tha se në raportin e parë, vdekja e Astrit Deharit është vlerësuar si “vetëvrasje” kurse në raportin e dytë thuhet se po “bëhet inspektim me rastin e vdekjes”.

“Në vend të suspendimit të menjëhershëm të stafit përgjegjës në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, ata e kanë vazhduar të jenë në punë deri më datë 21 nëntor 2016, ku e lë hapësirën për manipulim të provave dhe dëshmive”, u shpreh ministrja e MD-së.

Gjatë raportimit të raportit, Haxhiu e konsideron të çuditshëm transferimin e Naser Makollit, i cili ka qenë dëshmitar i rastit Dehari.

“Mbi bazën e këtij raporti konstatohen veprime kontradiktore, të paqarta dhe lë dyshime të mëdha për manipulime të provave dhe deklaratave të akterëve të përfshirë në rast, prandaj thërrasim prokurorinë që të ndërmarrin masa adekuate dhe cilësore, në zbardhjen e së vërtetës në rastin Dehari”.

Haxhiu paralajmëroi se raporti me shkresat do të përcillet te kryeprokurori i Shtetit dhe do të dërgohet të organet gjegjëse, për shqiptim të masave ndaj personave të përfshirë në rast./Shqip.com