Lajme

Shërbimi Korrektues e përkrah marrëveshjen me Danimarkën për transferimin e 300 të burgosurve

Shërbimi Korrektues i Kosovës.

Shërbimi Korrektues i Kosovës po përkrah marrëveshjen mes Kosovës dhe Danimarkës për transferimin e 300 të burgosurve nga shteti danez në Qendrën e Paraburgimit në Gjilan, përcjell Shqip.com.

Zyrtari i lartë në SHKK, Ismail Dibrani deklaroi se institucioni i tyre do të përfitoj nga marrëveshja e nënshkruar me Danimarkën.

“Buxheti total korrektues për një vit është afër 18 milionë euro, prej kësaj marrëveshje shteti i Kosovës do të përfitojë diku afër 21 milionë euro, se diku afër 15 milionë euro do të shfrytëzohen për Shërbimin Korrektues të Kosovës dhe gjashtë milionë euro për energji të ripërtritshme.

Do të thotë kemi për një kategorie që ne i pranojmë afër 300 të dënuar e kemi buxhetin me të madh sesa krejt buxheti që është për Shërbimin Korrektues të Kosovës që janë 1700 të burgosur dhe 1700 staf të angazhuar”, thotë ai për KP.

Dibrani thotë se stafi korrektues në këtë Qendër do të jetë nga Kosova, kurse ai menaxhues nga Danimarka.

Ndërkaq, Avokati i Popullit, Naim Qelaj, lidhur me marrëveshjen deklaron se mbajtja e të burgosurve të vendeve të treta do të shkaktojë shumë probleme.

“Në parim unë dua të qëndroj mbi atë se Avokati i Popullit për vite me radhë ka adresuar si shqetësim tek autoritetet kapacitetet e burgjeve, mungesa e hapësira dhe mbipopullimin si njëra prej shqetësimeve shumë serioze me të cilën ballafaqohen të burgosurit që vuajnë dënimin ose janë të paraburgosur në Shërbimin Korrektues të Kosovës dhe padyshim në këtë situatë kur gjendja filloi të përmirësohet dhe raportet kohëve të fundit ishin më të balancuara dhe tregonin për një standard në ngritje, kjo mund të shkaktojë shumë problem”, tha Qelaj.

Ndërkaq, këtë marrëveshje e ka kundërshtuar edhe Komisioni për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut duke thënë se e njëjta legalizon diskriminimin e të dërnuarve në Kosovë.

Ndryshe, para disa ditësh Ministria e Drejtësisë dhe ajo e Danimarkës kanë nënshkruar një marrëveshje për rehabilitimin e 300 të burgosurve danezë në Qendrën e Paraburgimit në Gjilan.

Përmes kësaj marrëveshjeje, Kosova do të përfitojë rreth 210 milionë euro – para të cilat do të investohen në energji të ripërtërishme dhe në infrastrukturën e Shërbimit Korrektues të Kosovës./SHQIP.com