Lajme

Sheholli: Veshja e Radoiçiqit si e Zelenskyt kishte mesazh kinse veriu është në prag lufte

Drejtori i Institutit për Afrimin e Marrëdhënieve Ndëretnike, Fatmir Sheholli, ka thënë se veshja e nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radoiçiq, në paraqitjen përmes videos nga veriu i Kosovës ngjason me veshjen e Zelenskyt të Ukrainës.

Sipas Shehollit, kjo ngjason me dërgimin e një mesazhi që korrespondon me atë se veriu i Kosovës është në prag të luftës.

“E patë atë veshjen e tij që në një farë forme korrespondon me Zelenskyn e Ukrainës që do të thotë që po dërgon një mesazh që veriu pothuajse gjendet në prag të luftës”, tha Sheholli për Info Magazinë.

Sheholli thotë se fjalimi i Radojçiqit ka përmbajtje nacionaliste dhe mesazh për serbët.

“Ajo që lë përshtypje është që Radoiçiq, me këtë fjalim që ka përmbajtje nacionaliste, dëshiron që popullit serb në Kosovë t’i çojë mesazh se Kosova po përgatit diçka dhe për këtë arsye ai është kthyer në Kosovë”.

Megjithatë sipas Shehollit, mesazhi i Radojçiqit është kërcenim i drejtuar shqiptarëve dhe bashkësisë kombëtare.

Drejtori i Institutit për Afrimin e Marrëdhënieve Ndëretnike, Fatmir Sheholli

“Ky nuk është kërcënim vetëm ndaj serbëve që nuk janë të dëgjueshëm ndaj LS-së, por është kërcënim sepse ai në fjalimin e tij thotë se ‘i përshëndeti serbët e mi të veriut’ dhe pastaj thotë ‘po u drejtohem edhe atyre’, duke menduar jo vetëm në shqiptarë, por edhe në bashkësinë ndërkombëtare sepse, siç e dimë të gjithë, ai është në listën e zezë amerikane”, është shprehur Sheholli në “Info Magazine” në Klan Kosova.

Lexo edhe:
Dyshohet se Radojiçiq ka hyrë në Kosovë: Kam ardhur, nuk do të kthehem më

Më tej, sipas Shehollit, menjëherë pas publikimit të videos së Radioçiqit nga veriu i vendit, sot më shumë se 20 mijë serbë të Kosovës e kanë përshëndetur deklarimin e tij përmes rrjeteve sociale./Shqip.com