Lajme

Shefi i stafit të Kurtit: Mediat ngjasojnë me kompani të krimininalizuara

Luan Dalipi dhe Albin Kurti

Luan Dalipi, shef i stafit të kryeministrit Albin Kurti me anë të një shkrimi ka thënë se mediat “ngjasojnë me kompani të kriminalizuara”.

Dalipi ka thënë se media po përdoren për të shantazhuar qeverinë.

“Nuk është gjë e re përdorimi i ndonjë mediumi për të shantazhuar qeverinë. Thurja e gënjeshtrave apo kurtheve dhe plasimi i tyre në portale i bën këto të fundit të ngjasojnë me kompani të kriminalizuara që model biznesi kanë shpifjen dhe tentimin për të shantazhuar qeverinë dhe/apo manipuluar publikun, ose thjeshtë për të fituar pandershëm sa më shumë përmes klikimeve/shikueshmërisë së ‘lajmeve’ të tyre”, ka shkruar Dalipi në “Facebook”.

Dalipi thotë se Qeveria Kurti ka ndërprerë kontratat me portalet, pasi sipas tij, kjo metodë është aplikuar nga ish-qeveritarët për të “blerë” heshtjen e mediave.

“Por, dëshiroj dhe një herë ta përsëris, asnjë cent nuk do ta paguajmë në portale, sepse nuk kemi asgjë për të fshehur dhe nuk do të paguajmë për heshtjen me paratë e qytetarëve”, shkruan ai ndër të tjera”.

Sipas Dalipit, disa media kanë pasur mijëra euro të hyra nga disa ministri dhe Telekomi i Kosovës nga viti 2015 deri në vitin 2020.

“Gjatë periudhës 2015-2020 janë paguar rreth 3.7 milion euro për 30 media/portale, nga disa ministri dhe Telekomi i Kosovës. Rreth 615.000 euro në vit, rreth 51.000 euro në muaj”, shkruan Dalipi.

Theksojmë se në shkurt, bashkëshorti i presidentes Osmani, Prindon Sadriu, përmes një postimi në Facebook i kishte quajtur mediat“Ndërmarrje të Përbashkëta Kriminale.

“Kur përfaqësuesit e Ndërmarrjeve të Përbashkëta kriminale, ‘gazetarët’ e parapolitikës, e persona të përfshirë në reket e në keqpërdorime milionëshe, moralizojnë”, kishte shkruar Sadriu, postim të cilin më pas e kishte fshirë nga Facebook-u.

Ndaj këtij statusi kishin reaguar Federata Evropiane e Gazetarëve dhe Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve, të cilat i kishin bërë thirrje Sadriut që “t’u jap fund sulmeve ndaj gazetarëve”./Shqip.com