Lajme Botë

Shefi i grupit mercenar ‘Wagner’ akuzon udhëheqësit e ushtrisë ruse për ‘tradhti’

Shefi i Wagner Yevgeny Prigozhin. Fotografi: Mikhail Svetlov/Getty Images

Shefi i grupit mercenar “Wagner”, Yevgeni Prigozhin thotë se Moska po refuzon të furnizojë grupin me municione dhe furnizime të tjera në Ukrainë duke pretenduar se ata po mundohen ta shkatërrojnë atë.

 Forca mercenare e Yevgeni Prigozhinit, e cila është rekrutuar nga burgjet anembanë Rusisë për të forcuar radhët e saj, po luan një rol kyç në përpjekjet për të kapur qytetin Bakhmut në lindje të Ukrainës. Beteja ka ekspozuar tensionet midis grupit Wagner dhe ushtrisë ruse, megjithëse Kremlini mohon çdo të çarë.

“Shefi i shtabit të përgjithshëm të Moskës dhe ministri i mbrojtjes japin urdhra majtas e djathtas jo vetëm për të mos i dhënë municion PMC Wagner, por gjithashtu për të mos e ndihmuar atë me transportin ajror. Ka vetëm kundërshtim të drejtpërdrejtë që po ndodh, që është asgjë më pak se një orvatje për të shkatërruar Wagnerin. Kjo mund të barazohet me tradhtinë e lartë”, tha Prigozhin në një mesazh zëri të ndarë nga shërbimi i tij i shtypit.

Në të kaluarën, Prigozhin ka kritikuar ushtrinë e rregullt të Rusisë në Ukrainë dhe kohët e fundit ka goditur “burokracinë monstruoze” të Moskës për ngadalësim të fitimeve ushtarake. Ai gjithashtu ka akuzuar ushtrinë ruse për përpjekjen për të “vjedhur” fitore nga Wagner, raporton The Guardian.


Ministria e mbrojtjes e Rusisë mohoi kufizimin e dërgesave të municionit për vullnetarët në front, por nuk përmendi grupin Wagner të ushtrisë private apo akuzat e Prigozhinit.

“Të gjitha kërkesat për municion për njësi sulmi janë përmbushur sa më parë të jetë e mundur. Përpjekjet për të krijuar një ndarje brenda mekanizmit të ngushtë të ndërveprimit dhe mbështetjes midis njësive të grupeve [luftarake] ruse janë kundër-produktive dhe punojnë vetëm në dobi të armikut”, lexohej në deklaratë.

Prigozhin ka marrë një rol më publik që kur filloi lufta. Grupi i tij Wagner drejtoi betejën për Bakhmutin, por marrëdhëniet e tij me Moskën janë në mënyrë të qartë të përkeqësuar.

Këtë vit Prigozhin ju hoq e drejta për të rekrutuar të burgosur dhe ka patur disa shenja të një mase të Kremlinit për të frenuar ndikimin e tij.

Marrja e Bakhmut do të ishte një fitore e madhe për Moskën në ofensivën e saj gati një-vjeçare në Ukrainë, ndonëse analistët thonë se kapja e saj do të ishte kryesisht simbolike pasi qyteti mban pak vlerë strategjike.

/Shqip.com