Lajme

SHBA-së i kërkohet ta shqyrtojë vendimin për të mos e ftuar Kosovën në Samitin për Demokraci

Flamuri i Kosovës dhe ai i SHBA-së
Flamuri i Kosovës dhe ai i SHBA-së

Një grup i përbërë prej 21 organizatave të shoqërisë civile janë drejtuar me një deklaratë zyrtarëve përgjegjës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës lidhur me vendimin për të mos ftuar Kosovën në Samitin për Demokraci.

Analisti i çështjeve politike, Agon Maliqi, ka thënë se përmes kësaj deklarate kanë kërkuar mundësinë e shqyrtimit të këtij vendimi.

Lexo edhe:
“Politico”: Biden nuk e fton Kosovën në Samitin për Demokraci

Siç ka thënë ai, kanë shpalosur dhe argumente në mbështetje të përfshirjes.

“Sot një grup i 21 organizatave të shoqërisë civile që merremi me çështjet e demokracisë dhe të drejtave të njeriut i jemi drejtuar me një deklaratë zyrtarëve përgjegjës në SHBA ku e kërkojmë mundësinë e rishqyrtimit të vendimit për të mos e ftuar Kosovën si pjesëmarrese të Samitit për Demokracinë dhe i shpalosim argumentet në mbështetje të përfshirjes”, ka shkruar Maliqi në profilin e tij në Facebook.

Kosova ka mbetur jashtë listës me 100 shtete të cilat janë ftuar nga Shtëpia e Bardhë për të marrë pjesë në Samitin për Demokraci, që do të mbahet për herë të parë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Bashkë me Kosovën, jashtë kanë mbetur edhe Serbia dhe Bosnja.

Ambasada Amerikane në Prishtinë ka dhënë arsyet se përse Kosova është lënë anash këtij samiti.

“Samiti për Demokraci i Presidentit është një nga shumë nismat amerikane e fokusuar në avancimin e demokracisë, luftimit të korrupsionit dhe promovimin e respektimit të të drejtave të njeriut anë e mbanë botës. Jo të gjithë partnerët mund të akomodohen në këtë nismë”, thuhet në njoftimin e ambasadës.

Mosftesa e Kosovës në këtë samit, ka ngjallur reagime të shumta. Opozita ka fajësuar kryeministrin, Albin Kurti dhe presidenten, Vjosa Osmani. Sipas tyre, ata janë duke e “izoluar” Kosovën. /Shqip.com