Lajme

SHBA-ja u bën thirrje amerikanëve: Ikni nga Rusia

Ambasada e Amerikës në Moskë

Ambasada e SHBA-së në Moskë lëshoi ​​një alarm sigurie gjatë së mërkurës ku u kërkoi qytetarëve amerikanë të largohen menjëherë nga Rusia.

Alarmi vjen pas urdhrit të presidentit rus Vladimir Putin për mobilizimin e pjesshëm të burrave rusë për të luftuar në Ukrainë.

“Rusia mund të refuzojë të njohë shtetësinë amerikane të shtetasve të dyfishtë, të mohojë aksesin e tyre në ndihmën konsullore amerikane, të parandalojë largimin e tyre nga Rusia dhe të rekrutojë shtetas të dyfishtë për shërbimin ushtarak”, thuhet në deklaratë, raporton CNN.

Ambasada ka paralajmëruar vazhdimisht amerikanët që të mos udhëtojnë në Rusi dhe të largohen menjëherë nga vendi nëse janë atje.

Poashtu, ambasada u bëri thirrje qytetarëve amerikanë që “të shmangin të gjitha protestat politike ose sociale dhe të mos fotografojnë personelin e sigurisë në këto ngjarje”, duke vënë në dukje se “e drejta për tubim paqësor dhe liria e shprehjes nuk janë të garantuara në Rusi”.

Ndërsa shtuan se “Autoritetet ruse kanë arrestuar shtetas amerikanë që kanë marrë pjesë në demonstrata”./Shqip.com