Lajme Botë

SHBA-ja dhe Irani arrijnë marrëveshje paraprake për t’i dhënë fund luftës, nënshkrimi bëhet të premten

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Irani kanë arritur një marrëveshje për t’i dhënë fund konfliktit në Lindjen e Mesme, pas negociatave intensive të zhvilluara me ndërmjetësimin e Pakistanit. Lajmi u bë publik nga kryeministri pakistanez, Shehbaz Sharif, i cili e cilësoi marrëveshjen si një hap historik drejt paqes në rajon, raporton Reuters. 

Sipas tij, marrëveshja parashikon ndërprerjen e menjëhershme të operacioneve ushtarake në të gjitha frontet, përfshirë edhe Libanin, si dhe nisjen e një procesi negociatash brenda 60 ditëve për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare mes palëve.

Nënshkrimi zyrtar i marrëveshjes është planifikuar të zhvillohet më 19 qershor në Gjenevë të Zvicrës, ndërsa gjatë kësaj jave do të mbahen takime teknike për përgatitjen e zbatimit të saj.

Sharif deklaroi se ndërmjetësuesit do të zhvillojnë një sërë konsultimesh paraprake për të vendosur bazat e zbatimit të marrëveshjes dhe për të përgatitur ceremoninë zyrtare të nënshkrimit.

Nga ana tjetër, zëvendësministri i Jashtëm i Iranit, Kazem Gharibabadi, konfirmoi se negociatat kanë qenë të gjata dhe intensive, duke zbuluar se përfaqësues të Katarit zhvilluan rreth 14 deri në 15 orë bisedime për finalizimin e memorandumit të mirëkuptimit mes Teheranit dhe Uashingtonit.

Pak pas njoftimit të Islamabadit, presidenti amerikan Donald Trump konfirmoi se marrëveshja me Iranin është përfunduar. Ai njoftoi gjithashtu hapjen e plotë të Ngushticës së Hormuzit dhe heqjen e bllokadës detare amerikane ndaj porteve iraniane, megjithëse më vonë sqaroi se këto masa do të hyjnë në fuqi pas nënshkrimit zyrtar të marrëveshjes të premten.

Trump deklaroi se hapja e Ngushticës së Hormuzit do të lejojë rikthimin e qarkullimit normal të naftës në tregjet ndërkombëtare, duke e cilësuar marrëveshjen si një garanci për paqen dhe sigurinë në rajon.

Ndërkohë, në një intervistë për Fox News, zëvendëspresidenti amerikan J.D. Vance tha se planifikon të marrë pjesë në ceremoninë e nënshkrimit në Gjenevë, ndërsa nuk përjashtohet as prania e vetë presidentit Trump.

Sipas autoriteteve iraniane, marrëveshja hap rrugën për negociata të reja që do të fokusohen në katër çështje kryesore, heqjen e sanksioneve ndaj Iranit, programin bërthamor iranian, rindërtimin dhe zhvillimin ekonomik të vendit, si dhe krijimin e një mekanizmi monitorimi për zbatimin e angazhimeve të marra nga të dyja palët.

/Shqip.com