Lajme

SHBA e zhgënjyer nga vendimi për targat: Kosova i refuzoi kërkesat tona

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përmes Departamentit amerikan të Shtetit kanë reaguar ndaj vendimit të fundit të Qeverisë së Kosovës, duke shkruar se janë të zhgënjyer se kërkesat e tyre nuk u përfillën.

Përmes zëdhënësit, Ned Price, i kërkuan Qeverisë së Kosovës që të zgjasë periudhën e zbatimit të regjimit të targave.

“Shtetet e Bashkuara, krahas partnerëve tanë ndërkombëtarë, i kërkojnë qeverisë së Kosovës që të zgjasë periudhën e zbatimit të regjimit të ri të targave. Shtetet e Bashkuara janë të zhgënjyera dhe të shqetësuara që qeveria e Kosovës ka refuzuar kërkesat për ta bërë këtë nga partnerët e saj ndërkombëtarë”, thuhet në reagimin e tyre.

Tutje bëhet thirrje edhe një herë që të vazhdoj dialogu, me në qendër njohjen reciproke.

“Kosova dhe Serbia duhet të punojnë urgjentisht dhe në mënyrë fleksibël për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse për marrëdhëniet e normalizuara, me në qendër njohjen reciproke”.

Po ashtu përmendet edhe fakti se Kosova e Serbia duhet ta reduktojnë retorikën nxitëse.

“Është e rëndësishme që të dyja palët të reduktojnë retorikën nxitëse dhe të ndërmarrin veprime konkrete për të demonstruar angazhimin e tyre për bashkëpunim konstruktiv për të siguruar një të ardhme të qëndrueshme dhe të begatë për rajonin”, shkruhet në reagimin e Departamentit amerikan të Shtetit.

SHBA në vazhdimësi ka kërkuar nga shteti i Kosovës që të shtyjë afatin për targat për një kohë më të gjatë, rreth 10 muaj.

Kjo kërkesë fillimisht ishte refuzuar nga kryeministri Kurti, por që në vendimin megjithatë e ka shtyrë afatin për targat.

/Shqip.com