Lajme Ballkan

Serbia injoron sanksionet e BE-së, siguron marrëveshjen e gazit me Putinin

Aleksandar Vuçiq dhe Vladimir Putin.

Ndërsa lufta në Ukrainë po vazhdon , presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq njoftoi se ai ka siguruar një marrëveshje “jashtëzakonisht të favorshme” të gazit natyror me Rusinë gjatë një bisede telefonike të dielën me presidentin rus, Vladimir Putin.

Vuçiq ka refuzuar të dënojë në mënyrë eksplicite pushtimin e Rusisë në Ukrainë dhe vendi i tij nuk i është bashkuar sanksioneve perëndimore kundër Moskës. 

Vuçiq pretendon se dëshiron ta marrë Serbinë në Bashkimin Evropian, por i ka kaluar vitet e fundit duke çimentuar lidhjet me Rusinë, një aleat i vjetër, raporton AP.

Marrëveshja e gazit ka të ngjarë të nënshkruhet gjatë një vizite të Ministrit të Jashtëm rus Sergej Lavrov në Beograd në fillim të qershorit – një vizitë e rrallë e një zyrtari të lartë rus në një vend evropian që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës më 24 shkurt.

Vuçiq tha se i tha Putinit se donte që “paqja të vendosej sa më shpejt të jetë e mundur”.

Serbia është pothuajse tërësisht e varur nga gazi rus dhe kompanitë e saj kryesore të energjisë janë nën pronësinë e shumicës ruse.

“Ajo që mund t’ju them është se ne kemi rënë dakord për elementët kryesorë që janë shumë të favorshëm për Serbinë,” u tha gazetarëve Vuçiç, një ish-ultranacionalist pro-rus. “Ne ramë dakord të nënshkruajmë një kontratë trevjeçare, e cila është elementi i parë i kontratës që i përshtatet shumë palës serbe”.

Nuk është e qartë se si Serbia do ta merrte gazin rus nëse BE-ja vendos të mbyllë furnizimin rus që udhëton mbi vendet e saj anëtare. 

Rusia tashmë ka ndërprerë eksportet e gazit për anëtarët e BE-së, Finlandën, Poloninë dhe Bullgarinë .

BE-ja në tërësi ka reduktuar me nxitim varësinë e saj në energjinë ruse që nga pushtimi dhe është vendosur të diskutojë mënyrat për ta bërë këtë më tej dhe të dëgjojë nga presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy gjatë një samiti të liderëve që fillon të hënën./Shqip.com