Selmanaj – deputetit të VV’së për edukimin si mision të RTK-së: Vetëm partitë komuniste kanë qëllim edukimin në medium publik
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, ka replikuar ndaj deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Valon Ramadani, për deklaratën e këtij të fundit sa i përket misionit parësor të Televizionit Publik të Kosovës.
Derisa Ramadani përmendi edukimin ndër misionet parësore të RTK-së, Selmanaj tha se vetëm partitë komuniste kanë pasur mision të parë edukimin dhe janë munduar ta edukojnë masën përmes mediumit publik.
“Një deputet del në publik dhe thotë që misioni i parë i Televizionit Publik është edukimi, mediat kanë misioni informimin, edukimin e bëjnë shkollat dhe universitetet. Televizioni publik ka për mision vetëm informimin. Sistemet komuniste e kanë përdorur mediumin publik për informim, për me tepër thotë se qëllimi kryesor është edukimi, pastaj informimi dhe zbavitja. Kjo është e turpshme të dëgjohet në Kuvend”, tha Selmanaj.
Pas kësaj ka replikuar Ramadani, i cili tha se neni tre në RTK thotë se RTK-ja ka misionin informimin, edukimin dhe argëtimin.
“Unë desha shkurt t’ia lexoj një nen deputetit Selmanaj, neni 3 thotë RTK ka misioni informues, edukues, kulturor dhe argëtuar. Tjetër herë kish qenë mirë me i lexu nenet e pastaj me folë”, ka thënë Ramadani.
Nga ana tjetër, Selmanaj thotë se me reagimet e deputetëve të tjerë kupton se ky nuk është vetëm mendim i deputetit Ramadani, por i gjithë Grupit Parlamentar.
“Tash po më del shqetësim edhe më i madh, po të mendonte vetëm deputeti Ramadani kështu edhe do ta lokalizonim, por Grupi Parlamentar po mendojka kështu me britmat e tyre. Më shkoj koha e replikës me këtë kakofoni. Renditjen që e tha ai më herët, e vendosi si masë të parë edukimin tani e lexoj si të dytën, edukimin kontekst të emisioneve për fëmijë mund ta bëjnë edhe mediat, por edukimin e masave popullore e bëjnë vetëm partitë komuniste”, tha Selmanaj.