Lajme

Sekuestrohen 100 objekte të ndërtuara në zonën e Brezovicës

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar se 100 objekte të ndërtuara në zonën e Brezovicës janë sekuestruar.

Kështu është bërë e ditur përmes një njoftimi për media.

“Prokuroria Themelore në Ferizaj, njofton opinionin publik se pas vlerësimit të raporteve nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Rënda në Prishtinë dhe raporteve nga Agjencia Kadastrale e Kosovës dhe Departamenti për Menaxhim i AMMK-së, lidhur me inspektimin e jashtëzakonshëm të objekteve të  ndërtuara në Brezovicë –  Zona e II-të, e Parkut Kombëtar “Sharri”, nga këto raporte vërtetohet se në këtë zonë, janë të ndërtuara rreth njëqind (100) objekte në kundërshtim me Ligjin për Parkun Kombëtar “Sharri” nr.04/L-087 si dhe Planin Hapësinor për Parkun Kombëtar “Sharri” të aprovuar nga Kuvendi i Kosovës”

Objektet e sekuestruara sipas njoftimit janë ndërtuar në kundërshtim me ligjet që rregullojnë Parkun Kombëtar.

“(100) objekte ndërtimore, të cilat sipas Prokurorisë, janë ndërtuar duke keqpërdorur detyrën zyrtare nga të pandehurit në këtë rast, me lëshimin e lejeve ndërtimore në kundërshtim me ligjet që rregullojnë Parkun Kombëtar “Sharri”, thuhet në njoftim.

Shqip.com merr vesh po ashtu se rreth dy javë më parë, shtatë persona janë arrestuar nga aksioni të cilin e ka zhvilluar Prokuroria e Shtetit në kuadër të rastit “Brezovica”.

Lajmin për Shqip.com e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Vjosa Baftiu e cila tha se personat e arrestuar janë nga aksioni i zhvilluar në 11 lokacione.

“Në 11 lokacionet e bastisura në të cilat është zhvilluar aksioni, tetë prej tyre janë në Prishtinë, dy në Fushë Kosovë dhe një është në Podujevë”.

Personat e arrestuar dyshohen për fajde, dhënje rryshfeti dhe ushtrim i ndikimit.

/Shqip.com