Lajme

Aksion në Brezovicë, sekuestrohen pesë villa

Prokuroria Themelore e Ferizajt ka nisur një aksion që ndërlidhet me rastin e njohur si “Brezovica”.

Lajmin për Shqip.com e ka konfirmuar Shukri Jashari- Kryeprokuror i Prokurorisë në Ferizaj.

Ky aksion ka të bëjë me identifikimin dhe sekuestrimin e vilave të cilat dyshohet se janë ndërtuar jashtëligjshëm në Zonën e Parkut Kombëtar “Sharri”.

“Ky operacion është duke zhvilluar për identifikimin dhe sekuestrimin e vilave në Brezovicë, më saktësisht në zonën e dytë të Parkut Kombëtar të Sharrit. Momentalisht janë sekuestruar pesë vila ”, ka thënë Kryeprokurori i Prokurorisë në Ferizaj, Shukri Jashari.

Po ashtu Jashari ka bërë të ditur se aksioni është duke u zhvilluar dhe pritet që të ndodhin edhe sekuestrime tjera.

Rreth dy javë më parë, Shtatë persona janë arrestuar nga aksioni të cilin e ka zhvilluar Prokuroria e Shtetit në kuadër të rastit “Brezovica”.

Lajmin për Shqip.com e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Vjosa Baftiu e cila tha se personat e arrestuar janë nga aksioni i zhvilluar në 11 lokacione.

“Po ju njoftojmë se në aksionin e zhvilluar si rrjedhojë e rastit ‘Brezovica’ janë arrestuar shtatë persona”.

Sipas Baftiut tetë nga lokacionet janë në Prishtinë, një është në Podujeve dhe dy në Fushë Kosovë.

“Në 11 lokacionet e bastisura në të cilat është zhvilluar aksioni, tetë prej tyre janë në Prishtinë, dy në Fushë Kosovë dhe një është në Podujevë”.

Në vendin e ngjarjes janë sekuestruar edhe prova materiale, por Baftiu tha se janë duke pritur edhe raportin policor për të dalur me një komunikatë ndërsa, personave të arrestuar ju është shqiptuar ndalimi për 48 orë.

Personat e arrestuar dyshohen për fajde, dhënje rryshfeti dhe ushtrim i ndikimit.

/Shqip.com