Lajme

Sekuestrohen mbi 41 kilogramë heroinë në Tiranë

Pamje të publikuara nga Policia e Shtetit

Mbi 41 kilogramë heroinë janë sekuestruar nga Policia e Tiranës.

Policia në njoftimin e dërguar ka theksuar se si pasojë e këtij operacioni kanë vënë në pranga 31-vjeçarin Armando Papa, banues në Fushë Kuqe.

Po ashtu është shpallur në kërkim një person tjetër, bashkëpunëtor i Papës. Bëhet fjalë për një person me iniciale R.G., banues në Sukth.

Droga u gjet në bagazhin e makinës tip “Benz” ku udhëtonte Papa.

“Gjatë kontrollit në automjetin tip “Benz”, u gjet në bagazh një kuti me 62 pako brenda së cilave kishte 41 kg e 700 gram lëndë të dyshuar narkotike heroinë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale së bashku me automjetin dhe 1 mjet prerës”, njoftoi policia.

“Nga specialistët për hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, vijojnë hetimet e thelluara për identifikimin e shtetasve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale“.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprime të mëtejshme.

/Shqip.com