Lajme

Sekuestrohen 28 aparate për prodhim të kriptovalutave në Suharekë

Aparatet për prodhimin e kriptovalutave.

28 aparate dhe 46 kartela grafike për prodhimin e kriptovalutave janë sekuestruar të shtunën në Bllacë të Suharekës, përcjell Shqip.com.

Policia e Kosovës ka njoftuar se në vendngjarje janë ftuar edhe njësitë e KEDS-it, të cilët kanë konstatuar se rryma ka qenë e vjedhur.

Aparatet e konfiskuara për prodhim të kriptovalutave.

“Me datë 13.01.2022, Sektori i hetimeve të stacionit policor në Suharekë, në bashkëpunim me ekipin e KEDS dhe zyrtarët e Doganës së Kosovës, në fshatin Bllac të Suharekes, kanë gjetur dhe sekuestruar 28 aparate për prodhimin e kriptovalutave dhe 46 kartela grafike.

Për të gjitha këto veprime të njësive të stacionit policor në Suharekë është njoftuar Prokuroria Themelore në Prizren. Po ashtu KEDS ka konstatuar se rryma ka qenë kyqje ilegale”, thuhet ndër tjerash në njoftim.

Tutje PK bëri të ditur se veprimet e mëtejshme do të ndërmirren nga Dogana e Kosovës.

Ndryshe, para dy javësh Qeveria e Kosovës ka njoftuar se ka ndaluar prodhimin e kriptovalutave në vend për shkak të krizës energjetike./SHQIP.com