Lajme

“Secili meriton një shans të dytë”, mbi 80 persona shkollohen në burgjet e Kosovës

Drita e shkollës e dominon errësirën e burgut
Të burgosurit ndjekun procesin mësimor (Burimi: SHKK)

Në Qendrat Korrektuese në Kosovë janë dhjetëra të burgosur të cilët krahas vuajtjes së dënimit, përgatiten edhe për jetën jashtë grilave.

Ndonëse në kushte dhe rrethana specifike, viti i ri shkollor ka filluar edhe në Qendrat Korrektuese në Dubravë, Lipjan dhe në atë për të mitur, po ashtu në Lipjan.

Gjithsej 81 të burgosur kanë aplikuar për të ndjekur procesin mësimor në qendrat korrektuese, sipas Shërbimit Korrektues të Kosovës.

Lexo edhe:
Viti i ri shkollor fillon edhe në Qendrat Korrektuese

“Prej tyre 19 në Qendrën Korrektuese për të Mitur Lipjan, 2 në Qendrën Edukuese Korrektuese Lipjan dhe 60 në Qendrën Korrektuese Dubravë. Gjithashtu janë edhe 3 të mitur të cilët ndjekin studimet universitare , 2 nga QKML dhe 1 nga QEKL”, tha për Shqip.com, Florent Gashi, zyrtar i lartë për komunikim me publikun në SHKK.

No description available.
Florent Gashi, zyrtar i lartë për komunikim me publikun në SHKK

Moshat e nxënësve të burgosur të cilët vijojnë mësimet në institucione korrektuese, sipas Gashit, është nga 16-60 vjeç.​

Në shkollën në Qendrën Korrektuese në Lipjan momentalisht mësimi zhvillohet në dy nivele.

“Në Nivelin II – shkollimi i mesëm i ulët (klasa VI deri në klasën VIII) dhe Niveli III – shkollimi i mesëm i lartë (klasa X- XII)”, tha Gashi.

Siç bëri të ditur ai, mësimi për shkollimin e mesëm të ulët zhvillohet në kuadër të Shkollës Fillore të Mesmë të Ultë “Ismail Luma” në Lipjan, ndërsa mësimi për shkollimin e mesëm të lartë zhvillohet në kuadër të Shkollës së Mesme Profesionale “Adem Gallvica” në Lipjan, në drejtimin Makineri, profili arsimor, Instalues i ujësjellësit, ngrohjes dhe kliamtizimit.

“Edhe për shkollimin e mesëm të ulët, e edhe për atë të lartë (profesional) mbahen të gjitha lëndët mësimore përkatëse sikurse në shkollat jashtë qendrave korrektuese”. 

Mësimi zhvillohet nga mësimdhënësit që cakton Drejtoria Komunale e Arsimit në Lipjan, ku janë të angazhuar nëntë mësimdhënës për të dyja nivelet.

Po ashtu, në Qendrën Korrektuese në Dubravë të burgosurit mund të ndjekin shkollimin e mesëm të lartë (klasa X-XII) në Shkollën e Mesme Profesionale “Rudina”.

Në Qendrën Korrektuese në Dubravë vetvritet një i burgosur
Qendra Korrektuese në Dubravë

“Mësimi për shkollimin e mesëm të lartë zhvillohet në kuadër të SHMP-së “Mit’hat Frashri” në Gurrakoc-Istog, në drejtimin Makineri dhe Bujqësi, ku mbahen të gjitha lëndët mësimore përkatëse sikurse ne shkollat jashtë Qendrës Korrektuese”, theksoi Gashi.

“Mësimi zhvillohet gjithë ditën, ndërsa mësimdhënësit janë të caktuar nga SHMP Gurakocë në DKA në Istog, të angazhuar janë gjithsej  12 mësimdhënës”.

Në institucionet korrektuese në Lipjan, gjatë ditës zhvillohen 6 orë mësimore, ndërsa në Qendrën Korrektuese Dubravë 5-6 orë mësimore paradite dhe 5-6 pasdite. Një orë mësimore zgjatë 30 minuta.

Qendra Korrektuese në Lipjan

Arsimimi fillor (klasa I-V) dhe ai i mesëm i ulët (klasa VI-IX) është obligativ sipas Ligjit për Arsim në Kosovë, prandaj e njëjta rregull vlen edhe në institucionet korrektuese.

Ndërsa, sa i përket arsimit të mesëm të lartë (klasa X -XII), i cili nuk është obligativ, SHKK-ja thotë se vazhdimisht inkurajon të miturit që ta vazhdojnë shkollimin aty ku kanë mbetur, duke i vetëdijesuar për rëndësinë që ka ndjekja dhe përfundimi i shkollimit për ta.

I pyetur se cilat janë masat disiplinore për ata të cilët refuzojnë ndjekjen e procesit mësimor, Gashi tha se “deri më tani nuk kemi pasur raste të tilla”.

“Por edhe nuk janë të parapara masa disiplinore për mos vijimin e mësimit. Ne ju tregojmë të miturve se në çdo raport vlerësues për gjykatë, vijimi i shkollimit luan rol shumë të rëndësishëm, prandaj kjo shërben edhe si motiv shtesë që ata t’i ndjekin mësimet”.

Të rinjtë, të cilët mbahen në qendrat korrektuese janë kryesisht për vepra penale të vjedhjes, vrasje, grabitje, dhunim, përdorues të narkotikeve, etj.

Por, si ndikon ambienti i burgut në mësimnxënie?

Arton Ademi, psikolog klinik dhe psikoterapist, thotë se duke marrë parasysh situatën epidemiologjike në vend, respektivisht edhe në Institucionet korrektuese, “e cila ka ndikuar në kufizimin e realizimit të rregullt dhe cilësor të procesit mësimor, kjo shkakton edhe ndikime në performancën e tyre duke në të nxënit e njohurive edukativo arsimore”.

No photo description available.
Arton Ademi, psikolog klinik dhe psikoterapist

Sipas tij, në këtë kuadër edhe ambienti në të cilën ndodhen ndikon në performancën e përgjithshme “për shkak se kushtet fizike në shkurtimin e orarit të orëve mësimore, kufizimin e hapësirës ku qëndrojnë apo edhe koha e limituar për shpjegimin e njësive mësimore”.

“Kjo në një far mënyre bën që mësimdhënësi për shkak të kufizimeve apo edhe përsëritjeje të të njëjtave gjëra disa herë, mund të reflektohet në rezultate të mangëta apo edhe ambienti i burgjeve do të ndikoj në rezultate të kënaqshme e të pritshme”, thotë Ademi për Shqip.com.

Thekson se padyshim që periudha në vuajtje të dënimit ndikon në sukses të ulur gjatë orvatjeve për të mbërritur rezultatet e nevojshme, të pritshme apo të planifikuara. Dhe me këtë, sipas tij, shpesh mund të manifestohet dorëzimi apo lënia e angazhimit të mëtejmë për të arritur rezultate të synuara.

Megjithatë, shton se nuk duhet specifikuar që ambienti i burgut mund të ndikojë negativisht në përpjekjet e individit që të arrijë sukses, për arsye se siç tha Ademi, kjo është individuale dhe varet nga personi se çfarë qëllime i vendos vetes.

“Për disa persona nuk ka rëndësi se ku ndodhet (në shkollë, në kamp, në shtëpi apo në institucion korrektues) ,ai i vë vetës qëllim që të arrij aty ku duhet, aty ku mund të tregoj aftësitë dhe cilësitë e tij”.

“Me këtë do të përmbledh, se për një gabim të caktuar që një person ka bërë në të kaluarën e tij,  ai është person dështak apo që nuk do të arrij në jetë, që kur ta përfundoj masën e caktuar që i është dhënë nga organi kompetent, ai/ajo duhet të riaftësohet për të dhënë më të mirën nga vetja profesionale në mënyrë që mos të mbetet e i/e varur nga mbikëqyrja apo mbështetja e shtetit, për të krijuar një jetë të re dhe mos të bëjë gabime tjera në të ardhmen”.

Psikologu Ademi më tej pohoi se secili person duhet t’i ofrohet një mundësi e dytë në jetë për të për të treguar veten dhe cilësitë e tij njerëzore dhe profesionale.

“Nuk guxojmë t’ia mohojmë pendimin për veprimin e bërë dhe përmirësimin e atij veprimi që i ka kushtuar me sanksionimin e marrë dhe ndryshimin që ka bërë për të mirën e tij/saj në të ardhmen në ndërtimin e karrierës dhe dhënien e kontributit në të mirë të shoqërisë”.

Në fund shtoi se secili individ duhet bërë më të mirën për t’i ndihmuar një të burgosuri që të krijojë një identitet të ri, i cili do të kontribuoj në të mirën e tij, familjes së tij dhe shoqërisë në përgjithësi./SHQIP.com