Lajme

SBASHK-u thotë se sot nuk ka pasur proces mësimor, 70 për qind e shkollave nuk kanë punuar

SBASHK

Sindikata e Bashkuar e Arsimit përmes një komunikate për media ka thënë se mbi 70 për qind e institucioneve arsimore këtë të shtunë nuk kanë mbajtur mësim.

Ministria e Arsimit mund të japë shifra e deklarime, por sipas SBASHK-ut, gjendja në terren flet ndryshe dhe se me gjithë numrin e vogël të nxënësve që ishin sot në shkolla, nuk mund të thuhet që ka pasur proces mësimor.

Të dhënat sipas sindikatës kanë ardhur nga takimet me kryetarët e niveleve komunale të cilët kanë raportuar për gjendjen nëpër shkolla gjatë ditës së sotme.

“Në vend që të vazhdojë me presionet e me dërgimin e inspektorëve nëpër shkolla, MASHTI duhet të mendoj pa ngarkesa dhe që në fillim të javës që po vjen të mbaj takim urgjent me përfaqësues të Asociacionit të Komunave, të Kolegjiumit të DKA-ve, të Këshillit të Prindërve dhe të SBASHK-ut për të bërë  përpjekje të përbashkëta dhe për të arritur marrëveshje të pranueshme lidhur me orët e humbura në grevë”, thuhet në komunikatën e SBASHK-ut.

Për më tepër, nga Sindikata e Arsimit kanë deklaruar se as në javët e ardhshme nuk do të mbahet mësim të shtuneve, ani pse Ministria e Arsimit ka bërë thirrje që të respektohet orari i propozuar për zëvendësimin e orëve të humbura.

Pas përplasjes për grevën dhe mosekzekutimin e pagave, SBASHK-u dhe Ministria e Arsimit tani janë në një “betejë” sa i përket zëvendësimit të orëve të humbura.

Kujtojmë se MASHT kishte propozuar që zëvendësimi të bëhet gjatë ditëve të fundjavës, por ky propozim është hedhur poshtë nga sindikata, me arsyetmin se është krejtësisht i pakuptimt./SHQIP.com

/Shqip.com