Lajme

SBAShK-u pezullon veprimet sindikale, Qeverisë i jep afat deri në mars

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj.
Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj.

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës ka marrë vendim për të pezulluar të gjitha veprimet sindikale pas premtimeve nga Qeveria se Ligji për Pagat është duke u punuar.

Ndërsa, për protestën e paralajmëruar të mbahej të shtunën e 4 dhjetorit, nga kjo sindikatë thonë se nuk është thirrur nga ta.

Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, në një prononcim për Shqip.com tha se protestë kanë paralajmëruar, por nuk kanë specifikuar orën.

Këtë gjë sipas tij, mund ta ketë bërë dikush tjetër për qëllime të caktuara.

Sindikata e Bashkuara e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës

“Ne kemi paralajmëruar protestë për 4 dhjetor, nuk jemi tërhequr nga kjo, megjithatë nuk kemi specifikuar orën, sepse në media kishte dalë që do të mbahet në orën 10:00, por këtë sigurisht e ka bërë dikush që ka qëllime të caktuara”, u shpreh Jasharaj.

“Për momentin janë pezulluar veprimet sindikaliste. Ndodhi që u takuam me Ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe morëm informacione që Ligji i Pagave është duke u punuar dhe ai tha se u duhet edhe pak kohë”.

Ai shtoi se me Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Kosovës, janë dakorduar për t’i dhënë kohë Qeverisë deri në mars që të punojë për Ligjin e Pagave.

Nëse sërish Qeveria nuk e mban fjalën, Jasharaj tha se do të vazhdojnë me veprimet sindikale.

Ligji për pagat në Kosovë

Qeveria e Kosovës, në vitin 2019 e drejtuar në atë kohë nga kryeministri i Kosovës Ramush Haradianaj, pati dërguar projektligjin për pagat në Kuvend, i cili ishte miratuar.

Ligji parashihet ngritjen e pagave të 70 për qind të shërbyesve civilë.

Por, institucioni i Avokatit të Popullit, në dhjetor të po atij viti, e kishte dërguar këtë ligj në Gjykatën Kushtetuese, për siç thuhej, “vlerësimin e përputhshmërisë” së tij me Kushtetutën.

Më 30 qershor të vitit 2020, Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka shpallur të pavlefshëm Ligjin për pagat në sektorin publik.

Sipas vendimit, ligji nuk është në përputhshmëri me 11 nene të Kushtetutës së Kosovës dhe shkakton “çrregullim të ndarjes së pushteteve në disfavor të jyqësorit dhe institucioneve të pavarura”.

“Shkeljet kushtetuese të evidentuara në Ligjin e kontestuar janë të një peshe aq serioze, sa që të njëjtat ndikojnë në bërthamën e funksionimit të qeverisjes në Republikën e Kosovës – duke shkaktuar çrregullim të ndarjes së pushteteve në disfavor të Gjyqësorit dhe Institucioneve të Pavarura”, thuhet ndër të tjera në vendimin e Gjykatës.

Vendimi thotë se “deputetët, pa ndonjë arsyetim dhe në mënyrë arbitrare kanë përjashtuar nga ky Ligj, ndër të tjera, Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, Forcën e Sigurisë së Kosovës, Bankën Qendrore të Kosovës dhe Agjencinë Kosovare të Privatizimit”./SHQIP.com