Lajme

SBASHK-u i jep afat një javë qeverisë për dialog, në të kundërt hyjnë në grevë nga gushti

Ilustrim

Nëse nuk fillon procesi mësimor si gjithmonë më një shtator, gishtin për këtë fakt SBASHK-u e ka drejtuar kah qeveria.

Nënkryetarja e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Vjollca Shala, sqaroi se nëse nga e mërkura Qeveria nuk fillon me dialog, greva mund të fillojë nga data 24 apo 25 gusht.

“Urojmë që greva të mos ndodhë, por në momentin që Qeveria nuk reflekton deri me 1 shtator atëherë mësimdhënësit do t’i gjejë në grevën e përgjithshme dhe nuk do të ketë as nxënës në objekte shkollore”, është shprehur Shala.

Nënkryetarja e ka fajësuar qeverinë që nuk është duke i realizuar kërkesat e tyre.

“Mirëpo Qeveria është ajo që nuk është duke i realizuar kërkesat tashmë të njohura për gjithë opinionin për mësimdhënësit. BSPK  ka mbajtur një takim të kryesisë ekzekutive dhe në takim është përcaktuar që deri më datën 17 gusht nëse Qeveria nuk fillon dialogun dhe nuk fillon me realizimin e kërkesave të BSPK e në të njëjtën kohë edhe të SBAShK atëherë më 17 i mbetet kryetarit të BSPK që ta përcaktojë datën e fillimit të grevës së përgjithshme”, tha ajo.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci

Theksojmë se Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, e ka quajtur dëmtim të procesit mësimor, “kërcënimin” e SBASHK-ut për grevë të përgjithshme që nga 1 shtatori.

“Kërcënimi me grevë për 1 shtatorin, ditën e parë të mësimit për vitin 2022 – 2023 është i papranueshëm. Çfarë do të mbërrihet me çfarëdo greve është vetëm dëmtim i procesit të mësimit për fëmijët tanë”, ka shkruar Nagavci në Facebook.

Kërkesa e SBASHK-ut është shtesa prej 100 eurosh në paga./Shqip.com