Lajme

Konkursi për rektor të UP-së hapet të hënën, Pllakolli nuk konkurron

Rektorati i Universitetit të Prishtinës

Këshilli Drejtues i UP-së, gjatë ditës së sotme ka shkarkuar nga pozita e Rektorit të UP-së, Naser Sahitin.

Po i njëjti organ ka vendosur që konkursi për Rektor të UP-së të hapet të hënën me 24 tetor.

“Sot me datën 21 tetor 2022, Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” ka emëruar si ushtruese të detyrës (u.d.) së rektorit, Prof. Ass. Dr. Luljeta Plakolli-Kasumi, profesoreshë në Fakultetin Juridik të UP-së. Konkursi do të hapet të hënën, me datë 24 tetor 2022, dhe shpresojmë të përfundojë me sukses sipas përcaktimit të saktë dhe të qartë të ligjit, Statutit në fuqi dhe parimit të meritës” thuhet në njoftim.

Ushtruese e detyrës në krye të institucionit është emëruar Luljeta Plakolli-Kasumi, por që e njëjta nuk do të konkurrojë për të marrë pozitën e Rektores.

“Prof. Ass. Dr. Plakolli-Kasumi ka marrë përsipër këtë detyrë që të ndihmojë mbarëvajtjen e punës në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe të sigurojë ligjshmëri në konkurrencë gjatë procedurës së zgjedhjes së rektorit të UP-së. E njëjta, nuk pretendon të marrë pjesë në konkursin për rektor dhe pas përmbylljes së procesit do t’i kthehet angazhimeve të saj në Fakultetin Juridik” thuhet në njoftim.

Lexo edhe:
Sahiti pas shkarkimit s’pranon të deklarohet për media

Ish-Rektori i UP-së, Naser Sahiti nuk është deklaruar për media pas shkarkimit të tij nga ana e Këshillit Drejtues të UP-së.

Lexo edhe:
Thaçi: VV-ja po tenton ta kap UP-në

Në anën tjetër, Eksperti i Arsimit, Jusuf Thaçi ka hedhur akuza në drejtim të Lëvizjes Vetëvendosje pasi që Këshilli Drejtues i UP-së morri vendim që Naser Sahitin ta shkarkojë nga pozita e Rektorit.

“Me këtë veprim të shkarkimit të rektorit, i cili nuk do të mund të ndodhte pa të deleguarit e MASHTI-t në KD të UP-së (pra nuk do të ndodhte pa miratimin e ministrisë/qeverisë), Lëvizja Vetëvendosje foli qartë: “Nuk po na intereson që UP-ja me qenë e mirë, po na intereson që UP-ja me qenë e jona!”, ka shkruar Thaçi.

Sipas Thaçit qasjen e njëjtë ndaj UP-së e kanë pasur të gjitha partitë politike.

/Shqip.com