Lajme Shqip.com merr vesh se numri i fëmijëve në arsimin parashkollor është gjithsej 4 mijë e 937, ndërsa numri i fëmijëve në arsimin para fillorë është 19 mijë e 494.

Sa kopshte kanë leje në Kosovë?, MASHTI e ARBK me të dhëna të ndryshme

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Agjencia e Regjistrimit të Bizneseve kanë të dhënë të ndryshme në lidhje me numrin e kopshteve që kanë leje në Kosovë.

Në Ministri janë të regjistruara 153 kopshte, kurse në Agjenci 133.

Zyrtarë të MASHTI-t kanë bërë të ditur për Shqip.com, se të gjitha kopshtet licencohen veç e veç, pavarësisht nëse të njëjtat janë në kuadër të një biznesi.

Por, si jepet leja për funksionimin e një kopshti?

“Institucionet parashkollore publike themelohen në bazë të Udhëzimit administrativ Nr. 104/2020 për kriteret dhe procedurat e themelimin dhe pushimit të veprimtarisë  së institucioneve  të arsimit para universitar”. Kriteret për licencimin e IP- ve private, rregullohen në bazë të Udhëzimit administrativ  Nr. 15/2016 “Licencimi dhe Regjistrimi i Institucioneve parashkollore private”.

Nga ana tjetër, Agjencia e Regjistrimit të Bizneseve ka njoftuar se 133 bizneset e regjistruara, kanë si aktivitet primar kujdesin ditor të fëmijëve.

Po ashtu nga ARBK-ja kanë informuar edhe për numrin e bizneseve të regjistruara gjatë periudhave 2020,21 dhe 22.

“Gjatë vitit 2020 janë regjistruar 19 biznese, gjatë viti 2021 janë regjistruar 17, ndërsa në vitin 2022 janë regjistruar 24 biznese”.

Lexo edhe:
Çmimet në kopshtet private trefish më të larta se në ato publike

Sa i përket qyteteve me numrin më të madh të kopshteve publike dhe private të regjistruara e kanë Prishtina me 58 kopshte, Ferizaj me 11 kopshte, Mitrovica me 9, Gjakova me 8, Podujeva me 7, Fushë Kosova me 6, Vushtrria, Prizreni  dhe Peja me 5, Obiliqi me 4, Istogu me 3, Lipjani, Malisheva dhe  Graçanica, Mitrovica e Veriut me 2 dhe Rahoveci, Suhareka, Deçani dhe Gjilani, me vetëm një kopsht të regjistruar.

Megjithëse numri i kopshteve dallon nga të dhënat e dy institucioneve, MASHTI ka thënë për Shqip.com, se po zhvillon inspektime të rregullta dhe të vazhdueshme nëpër institucione edukative dhe arsimore.

Shqip.com merr vesh se numri i fëmijëve në arsimin parashkollor është gjithsej 4 mijë e 937, ndërsa numri i fëmijëve në arsimin para fillorë është 19 mijë e 494.

/Shqip.com