Lajme Nga 35 komuna në Kosovë, 9-të nuk kanë fare çerdhe publike

Çmimet në kopshtet private trefish më të larta se në ato publike

Deri në 300 euro duhet të paguaj një qytetar në Prishtinë, nëse dëshiron t’i dërgojë dy fëmijë në kopsht privat.

Kjo shumë del të jetë afër katër fish më e lartë se sa në kopshtet publike.

Çmimi për dy fëmijë në kopshtet publike është 85 euro.

Kjo kosto për edukimin e fëmijëve deri në moshën pesë vjeçare, po rezulton të jetë vështirë e përballueshme për një nënë nga Prishtina, e cila ka dashur të mbetet anonim.

“Çerdhet publike për një familje me të ardhura të ulëta ose mesatare është zgjidhja ideale, mirëpo në rast se fëmija nuk pranohet për një familje që ka më shumë se një fëmijë është vështirë e përballueshme çmimi në institucionet private”, thotë qytetarja nga Prishtina.

Për t’u pranuar në ato publike, ajo tregon se i është dashur të pres afër një vit.

“Unë vitin e kaluar në korrik pata aplikuar, pastaj kam qenë në listë të pritjes, në momentin që është liruar një vend më kanë telefonuar që mundesh me e vendos fëmijën në kopshtin tonë” thotë ajo.

Kryeqyteti me vetëm 8 kopshte publike

Me gjithë numrin e madh të qytetarëve, kryeqyteti ka vetëm 8 kopshte publike.

Ky rezulton të jetë edhe numri më i madh brenda një komune.

Për ta rritur numrin e tyre, nga komuna thonë të kenë ndarë disa parcela për ndërtimin e 3 objekteve të reja.

 “Aktualisht kemi 8 kopshte në Komunën e Prishtinës, buxheti është i përbashkët për të gjitha institucionet edukativo-arsimore dhe nuk mundemi me e nda se sa ka buxhet për kopshte. Shumë shpejtë do të filloj ndërtimi i një kopshti në Kolovicë” thonë nga komuna.

9-të komuna pa asnjë kopsht publik

Por, situatë më e mirë nuk qëndron as në nivel vendi.

Bazuar në të dhënat e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit në nivel vendi janë vetëm 49 kopshte.

Pas Prishtinës, Gjakova me Istogun, Suharekën kanë nga 5 kopshte, Gjilani ka katër ndërsa shumica e qyteteve në Kosovë kanë nga një kopsht publik.

Derisa, 10 komuna nuk kanë fare.

Komunat në fjalë janë: Juniku, Leposaviqi, Deçani, Dragashi, Novobërda, Shtërpca, Zubin Potoku, Zveçani dhe Kllokoti.

Për rritjen e numrit të tyre, nga MASHTI thonë se janë në proces të ndërtimit të pesë kopshteve të reja.

“Në fund të muajit shtator Ministria e Arsimit ka nënshkruar kontratat për ndërtimin e pesë çerdheve të reja. Kurse, për vitin 2023, do të investojë në ndërtimin e 11 çerdheve të tjera. Po ashtu, MASHTI do të bëjë 16 renovime dhe adaptime të objekteve shkollore në çerdhe për fëmijë. Si Ministri e Arsimit jemi duke punuar shumë që të kemi sa më shumë çerdhe në mënyrë që çdo fëmijë të ketë qasje në edukimin e hershëm” thuhet në përgjigjen e MASHT.

Numri i fëmijëve në arsimin parashkollor është gjithsej 4 mijë e 937, ndërsa numri i fëmijëve në arsimin para fillorë është 19 mijë e 494.

/Shqip.com