Sport Ndërkombëtar

Rusell tregon synimin e tij

Sezoni i parë si pilot i Mercedes mund të konsiderohet mjaft pozitiv për britanikun George Russell, që i është dashur të përballet edhe me shokun e skuadrës, 7 herë kampionin e botës, Lewis Hamilton. Në përgjithësi, Russell ka qenë konstant me paraqitjet e tij, por Mercedes dorëzoi titullin kampion për konstruktorë.

24-vjeçari britanik, pavarësisht vështirësive që ka pasur makina gjermane këtë sezon, është optimist për të ardhmen. “Këtë sezon e përballova me një mentalitet të hapur, pasi bëhej fjalë për një eksperiencë të re për mua. Nuk kishim garanci që do të dilnim mirë. Natyrisht kam ardhur te Mercedes për të fituar, ndaj nuk kënaqem duke u klasifikuar mes 5 më të mirëve”, tha Russell.

“E përsëris, duhet të jem racional, ndaj s’jam i zhgënjyer nga rezultatet e mia, pasi deri më tani kanë qenë të mira. Ky është sezoni im i katërt në Formula 1 dhe kam punuar shumë për të ardhur deri këtu. Ndihem gati për të dueluar për titullin kampion. Jam këtu për të qëndruar gjatë dhe mendoj se Mercedes është vendi i duhur për të fituar titullin kampion brenda 5 viteve të ardhshme”, tha Russell.

/Shqip.com