Rumania mund ta “ndihmojë” Kosovën të kualifikohet

Përfaqësuesja e Kosovës ka mësuar kundërshtarët për Kampionatin Evropian 2024.
“Dardanët” në grup do të kenë Rumaninë, që do të jetë përballja e parë ndërmjet këtyre dy shteteve, por kjo po del të jetë problem për shtetin rumun.
Ish-ministri i Jashtëm i Rumanisë, Theodor Melescanu, ka thënë se kombëtarja e Edi Iordanescu nuk duhet të pranojë të luajë kundër kombëtares së Kosovës.
“Kosova nuk njihet nga një sërë shtetesh, përfshirë edhe ne, Rumaninë. Ne nuk e kemi njohur kurrë pavarësinë e Kosovës”, ka thënë ai për mediat e Rumanisë.
Federata e Rumanisë ka thënë se do të ketë diskutime me përfaqësues të Qeverisë për këtë temë.
“Duke marrë parasysh faktin se Rumania dhe Kosova u caktuan në të njëjtin grup në shortin e paraprake të EURO 2024, ngjarje kjo e zhvilluar dje, më 9 tetor, dhe duke marrë parasysh situatën gjeopolitike, Federata Rumune e Futbollit do të dialogojë me Qeveria e Rumanisë të mësojë kushtet e ndeshjeve në të cilat përfaqësuesja jonë do të takohet me Kosovën, në Grupin I”, thuhet në njoftim.
Nëse Rumania refuzon të luajë, atëherë Kosova mund të marrë gjashtë pikë të plota në tavolinë, sipas rregullave të UEFA-s.
/Shqip.com