Lajme

Rritja e rasteve: Ministria paralajmëron masa të reja shtrënguese

Masat e reja

Ministria e Shëndetësisë ka paralajmëruar edhe masa të reja më shtrënguese në Kosovë.

Sipas tyre, ndryshimi i masave do të bëhet sipas rekomandimeve të institucioneve relevante pas rritjeve të rasteve.

“Ndryshimi eventual i masave në fuqi, do të mund të bëhet sipas rekomandimeve të institucioneve relevante dhe ekspertëve, në varësi të situatës epidemiologjike dhe projeksioneve rreth zhvillimit të saj”, thuhet në komunikatën e MSH-së.

Tutje nga Msh kanë thënë se ministri, Rifat Latifi ka zhvilluar takime të rregullta me institucionet përgjegjëse për menaxhimin e pandemisë COVID-19 dhe trupin këshillëdhënës lidhur me COVID-19.

Kjo është bërë me qëllim të mobilizimit sa më të mirë të institucioneve shëndetësore për t’u ballafaquar me çfarëdo situate epidemiologjike si pasojë e rritjes së rasteve të reja të COVID-19 në javët e fundit.

“Me qëllim të mbrojtjes së shëndetit publik, Ministri Latifi u bën thirrje qytetarëve që të rrisin kujdesin, të zbatojnë masat në fuqi kundër COVID-19, të përditësuara së fundi më 30 prill 2022 dhe t’u përgjigjen thirrjeve për vaksinim kundër COVID-19, duke përfshirë edhe marrjen e dozës së katërt, që është lejuar për personat mbi 60 vjeç, të cilat e kanë marrë dozën e tretë së paku katër muaj më pare”, thuhet në komunikatë.

Lexo edhe:
1602 raste aktive me COVID-19 në Kosovë

Ndryshe, Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se janë 1.602 raste aktive me COVID-19 në Kosovë.

Duke u bazuar në të dhënat e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës, vetëm në 24 orët e fundit kanë rezultuar pozitiv me COVID-19, 258 qytetarë./SHQIP.com