Lajme

Rritja e rasteve me COVID-19, Latifi nuk e sheh të nevojshëm shtrëngimin e masave

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi

Ditët e fundit në Kosovë është raportuar rritje e numrit të rasteve pozitive me COVID-19. 

Lidhur me këtë, ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi ka thënë se tani për tani nuk ka nevojë për shtrëngim të masave.

“Ne nuk mund të marrim masa të posaçme vetë për vendin tonë. Nëse ka nevojë i marrim ato. Por tash për tash nuk ka nevojë. Ne kemi aprovuar vaksinën e katërt. Të gjithë qytetarët të rinjtë dhe të moshuarit duhet të vaksinohen sipas rregullave që kemi. Dy vaksina, të tretën dhe të katërtën. Unë i kam vizituar spitalet që merren me trajtimin e pacientëve me Covid dhe jemi të gatshëm të përballojmë çfarëdo situate që ka nevojë. Ne do të kemi kapacitete për të menaxhuar të gjitha rastet nëse kemi nevojë”, tha Latifi.

Megjithatë, Latifi shtoi se janë duke e monitoruar dhe analizuar situatën me COVID-19 mbi vendin tonë.

Qendra e COVID-19

Ai shtoi se niveli ose intensiteti i sëmundjeve nuk është sikur që ka qenë në dy vitet e shkuara.

Latifi apeloi të rinjtë dhe moshuarit që të vaksinohen edhe me dozën e katërt të vaksinës.

Theksojmë se gjatë 24 orëve të fundit, në vendin tonë janë shënuar 407 raste të reja.

Lexo edhe:
407 raste të reja me COVID-19 në Kosovë

Rritje ka shënuar edhe numri i rasteve aktive të cilat kanë arritur në 1860.

Ndonëse vaksinimi kundër COVID-19 është duke vazhduar, IKSHPK-ja ka rekomanduar që të gjithë personat mbi moshën 12 vjeçare të vaksinohen me dozat përforcuese të vaksinave.

Ndërsa, së fundmi, MSH-ja ka aprovuar edhe dozën e katërt për personat mbi moshën 60 vjeç.

Që nga fillimi i pandemisë janë dhënë afër dy milionë doza të vaksinës kundër Coronavirusit.

Sipas MSH-së, procesi i vaksinimit rekomandohet edhe për gratë shtatzëna në mënyrë që të mbrohet nëna edhe foshnja./Shqip.com