Ekonomi

Rritja e çmimeve: AKK-ja thotë se është duke monitoruar tregjet

Ilustrim

Me rritjen e çmimeve, Autoriteti Kosovar i Konkurrencës thotë se ka intensifikuar monitorimin e tregjeve për t’u siguruar që ndërmarrjet nuk janë duke e shkelur Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës.

Përveç kësaj, AKK pohon se në vazhdimësi është duke avokuar përmes formave të ndryshme që të rris vetëdijen e operatorëve të tregut për Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës.

Kohët e fundit, nga ky institucion thonë se kanë pranuar ankesa lidhur me ngritjen e çmimit të disa produkteve në tregun e Kosovës.

“Për këtë arsye, përmes kësaj deklarate për media, sqarojmë se AKK, ashtu siç është rasti me çdo institucion tjetër për mbrojtjen e konkurrencës në rajon dhe në vendet e Bashkimit Evropian, nuk ka mandat që të rregullojë çmimet e ndonjë produkti ose shërbimi”, thuhet në njoftimin për media.

Autoriteti Kosovar i Konkurrencës

Më tej, AKK thotë se mandati themelor i saj është mbrojtja e konkurrencës së lirë si parakusht për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe “kjo nënkupton që AKK vepron kur cenohet, pengohet ose shtrembërohet konkurrenca në treg”.

“Më konkretisht, Autoriteti i Konkurrencës mund të reagojë në ato raste kur ndërmarrjet veprojnë në mënyrë të koordinuar (pra, nëse një veprim i tillë është rezultat i marrëveshjes së tyre eksplicite, përmes formës se kartelit-marrëveshjes së ndaluar apo sjelljeve te tyre ne treg – praktikës së bashkërenduar).”

“Gjithashtu, AKK mund të reagojë edhe ndaj ndërmarrjeve që kanë pozitë dominuese në treg dhe të cilët keqpërdorin këtë pozitë”, thuhet më tej në njoftim.

Lidhur me këtë çështje ka reaguar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili ka paralajmëruar pako masash për t’i ndihmuar qytetarët. Derisa ua ka bërë këtë premtim qytetarëve, u ka kërkuar të jenë të qetë dhe të durueshëm.