Lajme

Rritet kritika brenda VV-së, bashkëpartiakët e kundërshtojnë Liburn Aliun

Në seancën e Kuvendit të Kosovës ku është duke u shqyrtuar Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje, deputeti Dimal Basha, e ka kritikuar ministrin Aliu për përmbajtjen e këtij dokumenti.

“Tash ky ligj ndryshohet edhe i ndërrohet edhe hyrja në fuqi. Që ta zëmë, ky ligj hyn në fuqi në mars 2023, legalizohen të gjitha ndërtimet deri në mars 2023. Pra, e bëjmë legalizimin e të gjitha ndërtimeve pa leje, sidomos ndërtesat”, tha Basha.

Sipas Bashes, problematike mbetet edhe çmimi i metrave katrorë për legalizim, ku 500 metra katrorë do të legalizohen në vlerën e 4 mijë eurove.

Më pas, deputeti i VV-së u shpreh se po amnistohen nga hetimet kriminale keqpërdoruesit e ndërtimit.

“Cili është interesi që një ndërtimtar ta legalizojë ndërtesën? Mendoj që qikjo s’është parimore, dhe kjo s’duhet me shku përpara. Puna kryesore e këtij ligji, mendoj unë është se e bën amnistimin e këtyre keqpërdoruesve që ndonjëherë janë quajtur edhe “mafi e betonit. Këta jo që nuk dënohen por legalizohen”, ka thënë deputeti Basha.

Ndërkohë, edhe deputetët e tjerë të VV-së, që vijnë nga qyteti i Ferizajt, Haki Abazi e Enver Haliti, adresuan kritikat e tyre, duke i kërkuar ministrit që fjalimin e deputetit Basha ta merrte seriozisht.

/Shqip.com