Lajme

Rrezarta Krasniqi në intervistë për Shqip.com: Shteti dështoi në rrugën e integrimeve, do votoja për rrëzimin e Qeverisë

Rrezarta Krasniqi - LDK

Viteve të fundit Kosova ka ngecur në rrugën e integrimeve evropiane e një nga faktorët që ka ndikuar është edhe dialogu mes Kosovës dhe Serbisë.

Koncetrimi për arritjen e marrëveshjes përfundimtare, e ka zhvendosur anëtarësimin e shtetit në organizata ndërkombëtare në plan të dytë.

Opozita në Kuvendin e Kosovës vazhdimisht ka adresuar kritika në drejtim të Qeverisë së Kosovës, konkretisht Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës për dështim në përpjekjet për të çuar përpara agjenden evropiane të shtetit.

Rrezarta Krasniqi, deputete e LDK-së dhe njëkohësisht kryetare e Komisionit për Integrim Evropian, në një intervistë për Shqip.com, ka deklaruar se rasti i tërheqjes së Kosovës nga agjenda për anëtarësim në Këshillin e Evropës, tregon shumë për dështimin e ekzekutivit.

Pavarësisht se Kosova e ka një datë për liberalizimin e vizave, Krasniqi e akuzon kryeministrin Kurti se ka shtyrë liberalizimin e vizave që ishte në agjendë në vitin 2016, për shkak të kundërshtimit të demarkacionit.

Kritika ka edhe ndaj kryediplomates Gërvalla, për të cilën thotë se nuk i është përgjigjur ftesës së komisionit për Integrim Evropian që të raportojë, duke e cilësuar si shqetësuese një mospërfillje nga e para e politikes së jashtme.

Duke komentuar zërat e marrëveshjes përfundimtare, Rrezarta Krasniqi thekson se LDK-ja i qëndron prapa marrëveshjeve të vitit 2013, duke e përkrahur Asociacionin, si kusht për arritjen e njohjes së ndërsjellë dhe në vijë me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.

https://youtu.be/hLrAX4YHaYE

Ndryshe, ajo e quan Qeverinë e Kosovës, si jo bashkëpunuese sepse as nuk di e as nuk dëgjon.

Deputetja e LDK-së dhe kryetarja e Komisionit për Integrim Evropian, Rrezarta Krasniqi shprehet se pavarësisht se nuk i kanë numrat në Kuvendin e Kosovës, ajo personalisht po t’i jepej mundësia, në momentin e parë do të votonte për rrëzimin e Qeverisë Kurti.

Lidhur me këtë, ajo ka përmendur si arsye, ngritjen e çmimeve të produkteve elementare dhe gjendjen socio-ekonomike në të cilën e kanë sjellë Kosovën, kryeministri Kurti dhe Qeveria që ai e drejton.

/Shqip.com