Lajme

Kurti reagon rreth sulmeve në veri: Bandave kriminale po ju vie fundi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar ndaj zhvillimeve të fundit në veri të Kosovës, ku është raportuar rreth sulmit me shok bomba dhe plumba, ndaj zyrtarëve komunal zgjedhor.

Kurti ka shkruar se këto veprime janë fundi i pazareve të bandave kriminale që operojnë në veri të Kosovës.

“Bandat kriminale kanë intensifikuar sulmet në veri të Kosovës. Ato e dinë se po ju vie fundi. Qeveria e Kosovës as s’bën pazare me to dhe as s’i duron ato. Bombat që hedhin, plumbat që shkrepin dhe maskat që vendosin janë pafuqia e tyre politike e popullore”, ka shkruar Kurti.

Kurse, se kush qëndron prapa këtyre veprimeve, kryeministri Kurti hapur ka akuzuar presidentin e Serbisë.

“Me këto krime e sulme të armatosura në veri të Ibrit, doemos do të kemi më shumë polici të Kosovës atje. Sepse do të ketë hetime e ndjekje të këtyre kriminelëve, që paguhen nga Serbia e dirigjohen nga presidenti i saj”, ka theksuar Kurti.

Për udhëheqësin e Qeverisë së Kosovës, në veri të vendit nuk ka ndarje etnike mes shqiptarëve e serbëve, por ndarje të bandave kriminale dhe qytetarë.

“Kërkoj nga të gjithë qytetarët e Kosovës që të mbështesin shtetin dhe policinë e Kosovës, të gjithë zyrtarët tanë që po mbrojnë kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë, republikën dhe demokracinë”, ka thënë kryeministri Kurti.


/Shqip.com