Sport Shqiptar

Rrëfimi i talentit 15-vjeçar nga Prishtina, i cili së fundmi u ftua nga Shqipëria, ai flet edhe për mos-interesimin e Kosovës

Futbolli i Kosovës edhe pse në kushte jo aq edhe aq të mira për punë, vazhdon të nxjerrë në sipërfaqe lojtarë më shumë potencial.

Njëri ndër ta është edhe mbrojtësi prishtinas Reis Paci. 15-vjeçari është zhvilluar si futbollist te skuadra e Ramiz Sadikut.

Karrierën e ka filluar në moshën 8-vjeçare te ky ekip derisa për një kohë ka qenë edhe pjesë e Shkollës “Top Futboll” për t’u rikthyer më pas te Ramiz Sadiku.

Paci dallohet për punën e madhe që e bën në stërvitje dhe ndeshje, punë e cila nuk ka kaluar pa rënë në sy edhe të grupmoshave të reja të Kombëtares së Shqipërisë e ku së fundmi është ftuar në një tubim, që u organizua ditë më parë në Tiranë.

Paci ka lënë mbresa të mira te Kombëtarja “kuqezi”.

Në një bisedë për Shqip.com, ai ka folur rreth karrierës së tij. “Futbollin e kam pasion sikurse çdo i ri në këtë moshë. Synimet e mia në këto vite janë që të punoj sa më shumë dhe puna pastaj le të sjellë befasitë e saj. Sigurisht se pretendoj që të aktivizohem në të ardhmen në ndonjë klub me renome në Evropë”, ka thënë Reis Paci të martën për Shqip.com.

Për talentin prishtinas tashmë kanë shfaqur interesim shumë skuadra nga jashtë Kosovës.

Në shkurt të këtij viti ai do të marrë pjesë në një turne në Itali.

“Ka shumë interesim nga disa klube. Së fundmi ka interes edhe nga klubet e Shqipërisë. Në shkurt do të udhëtoj për një turne në Itali ku do të ketë ndeshje të forta. Shpresoj se çdo gjë do të shkojë mirë”, është shprehur optimist Reis Paci.

Ai foli edhe për eksperiencën e fundit me Shqipërinë.

“Eksperienca në Shqipëri ka qenë shumë e mirë. Kam marrë këshilla shumë të mira nga trajnerët dhe lojtarët, të cilët më kanë pritur jashtëzakonisht mirë. Jam munduar  ta jap më të mirën time  dhe pres që të marr edhe një konfirmim zyrtar në mënyrë që zyrtarisht të bëhem pjesë e Shqipërisë. Ky fakt më motivon dhe më jap motiv për shumë e më shumë punë”, theksoi Reisi.

I pyetur rreth Përfaqësueses së Kosovës, Reisi deklaroi: “Nga Kosova nuk ka ndonjë interesim të veçantë. Shqipëria ishte më konkrete dhe u bëra pjesë e tyre në seleksionime”.

/Shqip.com